Ferguson: “Disa herë kam bërë oferta për Del Pieron, nuk e la Juventusin as kur ra në Serie B”

  • G.G /
  • 12 February 2021 - 14:23
Ferguson: “Disa herë kam bërë oferta për Del Pieron, nuk e la Juventusin as kur ra në Serie B”

Një nga historitë e besnikërisë së një futbollisti karshi skuadrës së zemrës është ajo e Alessandro Del Pieros, Gigi Buffon e të tjerë, që nuk e braktisën Juventusin kur zbriti në Serie B.

Se sa e donte “Pinturikio” fanellën bardhezi e tregon përmes një anekdote edhe trajneri i madh, Sir Alex Ferguson.

Legjenda që ka fituar gjithçka me Manchester United ka treguar se si ka tentuar ta rrëmbejë disa herë mesfushorin italian.

Gjithashtu edhe kur Juve ra një sezon në Serie B, por pa ndonjë rezultat.

“Pas një ndeshje kundër Juventusit, Ryan Giggs dhe Gary Neville më kërkuan të bëja gjithçka që ishte e mundur për ta marrë Del Pieron në Manchester United, sepse ai kishte shkatërruar të gjithë mbrojtjen tonë. Kështu që unë kontaktova atë, por ai refuzoi të dëgjonte propozimin tim”, u shpreh Fergi.

“Në vitin 2006, kur Italia fitoi kupën e botës dhe çështja e ndeshjeve të manipuluara të Juves në Serie A doli në dritë, unë e thirra përsëri për të luajtur me ne duke e ditur që edhe Real Madrid e donte atë. Isha i sigurt se ai do të përfundonte duke luajtur për ne ose për Madridin. Kështu që unë i thashë atij: ‘Alessandro, pas kaq shumë vitesh, përsëri të kërkoj të vish në klub. Mos shko në Madrid, është koha të vish këtu në Angli. Ju do të jeni ylli i ekipit tonë”.

“Ai vetëm qeshi dhe u përgjigj: “Sir, mendoj se tashmë e kemi bërë këtë bisedë disa vjet më parë. Unë ju respektoj shumë, por Juventusi aktualisht është në telashe (i rënë në Serie B) dhe unë nuk mund të jem frikacak tani dhe të largohem nga klubi im”.

“Unë nuk insistova më, ai preferoi të qëndrojë në Juve për ta kthyer Juve në Serie A në vend që të nënshkruajë për Manchester ose Madridin”.

Atë sezon në Serie B, Del Piero me 20 gola në 35 paraqitje, e ndihmoi Zonjën e Vjetër të kthehet në Serie A ku po dominon viteve të fundit.

Në total, Del Piero ka bërë 705 paraqitje për Juventusin, ka shënuar 290 gola dhe ka dhuruar edhe 91 asistime. 

(Kosova Sot Online)