NBA: Lakers humbin ndaj Denverit, mposhtet edhe Dallasi

  • S.A /
  • 15 February 2021 - 13:00
NBA: Lakers humbin ndaj Denverit, mposhtet edhe Dallasi

Kampionët në fuqi të NBA, Los Angeles Lakers ndalen sërish, pasi u mposhtën me rezultatin 122-105 në transfertën ndaj Denver Nuggets në “Ball Arena”. Me grekun Kostas Antetokounmpo të dëmtuar dhe Anthony Davies e LeBron James larg formës më të mirë, Lakers e patën të vështirë të përballen me Denverin.

Të udhëhequr nga forma mjaft e mirë e serbit Jokiç dhe amerikanit Murray, Nuggets morën kontrollin e lojës që në fraksionin e dytë, të cilin e fituan thellë dhe më pas vijuan të mbajnë kryesimin deri në fund.

E nëse Lakers ndalet, nuk ndodh e njëjta gjë me Clippers, që morën fitoren e tretë radhazi, këtë herë me shifrat 128-111 ndaj Cleveland Cavaliers në “Staples Center” të Kalifornisë.

Lou Williams ishte protagonist absolut për skuadrën kaliforniane, pasi shënoi 30 pikë, rikuperoi dy topa dhe dha 10 asiste, ndërsa Cavs u zgjuan vetëm në fraksionin e fundit falë një loje të mirë të Sexton, por kjo nuk mjaftoi që të shmangin humbjen.

Slloveni Luka Doncic ishte në një formë fantastike dhe arriti të shënojë 44 pikë, të rikuperojë 7 topa e të japë 9 asiste në “American Airlines Center” të Dallasit, por kjo nuk u mjaftoi Mavericks të shmangin humbjen përballë Portland Trail Blazers.

Këta të fundit, të udhëhequr nga Lillard, fituan me rezultat të thellë fraksionin e parë e të tretë të lojës dhe ndonëse humbën dy pjesët e tjera, ia dolën të largohen si triumfatorë nga Dallasi.

Në sfidat e tjera San Antonio Spurs triumfoi me shifrat 110-122 në transfertën ndaj Charlotte Hornets, Detroit Pistons mposhtën New Orleans Pelicans me shifrat 123-112 dhe Ocklahoma City Thunder fitoi me shifrat 114-109 ndaj Milwaukee Bucks. 

(Kosova Sot Online )