Presidenti i Juventusit flet për zënkën me Conten gjatë takimi Juve-Inter

  • S.A /
  • 17 February 2021 - 10:08
Presidenti i Juventusit flet për zënkën me Conten gjatë takimi Juve-Inter

Pas debatit me Antonio Conten në ndeshjen Juventus-Inter, e vlefshme për gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Italisë, presidenti i bardhezinjve Andrea Agnelli ka marrë “Tapirin e Artë”, çmim që jepet nga emisioni satirik “Striscia la Notizia”.

Ka qenë gazetari Valerio Staffelli që i ka dorëzuar çmimin numrit një të bardhezinjve në Torino dhe natyrisht që i ka marrë edhe një prononcim në lidhje me tensionin që pati me ish trajnerin e Juventusit, aktualisht në pankinën e Interit.

“Thuajse gjithmonë pasioni për punën tonë na bën të shkojmë përtej rregullave të sjelljes së mirë. Bashkëpunimi me Conten është mbyllur shumë mirë dhe ato që patë ishin gjeste dashurie…”, u shpreh Agnelli.

Pak ditë më parë emisioni satirik në Itali provoi t’i japë të njëjtin çmim edhe trajnerit të Interit, Antonio Conte, i cili e refuzoi dhe shmangu edhe komentet për gazetarin Staffelli, megjithatë më vonë kërkoi ndjesë për atë që u pa në “Allianz Stadium”.

Mes Contes, Agnellit dhe thuajse të gjithë pankinës së Juventusit, pati debate e sharje të vazhdueshme gjatë gjithë 90-minutëshit të ndeshjes, megjithatë në fund presidenti bardhezi shpërtheu ashpër ndaj teknikut zikaltër.

Aktualisht për çështjen është hapur një hetim nga Prokuroria Federale në Itali, e cila po mundohet të hedhë dritë mbi atë që ka ndodhur vërtetë, ndërsa palët rrezikojnë të përballen me një pezullim shembullor.

(Kosova Sot Online )