Hadergjonaj: Urime Kosovë, oj tokë e bekuar

  • S.A /
  • 17 February 2021 - 11:29
Hadergjonaj: Urime Kosovë, oj tokë e bekuar

Florent Hadergjonaj e ka uruar Kosovën për Përvjetorin e Pavarësisë, të cilën para dy vjetëve zgjodhi ta përfaqësojë në arenën ndërkombëtare.

Sot, Kosova i mbushi 13 vjet, pas shpalljes së Pavarësisë nga Serbia më 17 Shkurt 2008.

Mbrojtësi i ekipit kombëtar të Kosovës dhe klubit turk Kasimpasa Hadergjonaj e ka uruar atdheun e vet duke e quajtur tokë të bekuar.

“Urime Dita e Pavarësisë Kosovë. 13 vjet. Kosovë, tokë e bekuar”, shkruhen në fotografinë e Hadergjonajt në fanellën e Kombëtares së Kosovës, të cilën 26-vjeçari e postoi në Instagram.

I lindur në Langnau të Zvicrës nga prindër me prejardhje nga Kosova, Hadergjonaj e kishte përfaqësuar shtetin helvetik në arenën ndërkombëtare para se të vendoste t’i përkushtohej atdheut të vet, Kosovës.

Ai debutoi për Kosovën në qershor të vitit 2019, në një ndeshje kualifikuese për Euro 2020 kundër Bullgarisë.

Që prej atëherë, Hadergjonaj i ka bërë 16 paraqitje për Kosovën, duke kontribuar me një gol.

(Kosova Sot Online )