Bujar Qerimi emërohet trajner i ri i Kosovës në hendboll

  • S.A /
  • 17 February 2021 - 15:30
Bujar Qerimi emërohet trajner i ri i Kosovës në hendboll

Bujar Qerimi është emëruar trajner i Kombëtares së Kosovës në hendboll, njofton Federata e Hendbollit e Kosovës. Emri i njohur i hendbollit të Kosovës do të jetë në krye të ekipit kombëtar në katër ndeshjet e fazës së dytë kualifikuese për “Euro 2022”.

Kosova më 10 mars e pret Rumaninë në Prishtinë, ndërsa më 14 mars luan ndaj Rumanisë si mysafire. Në fund të prillit Kombëtarja jonë e pret Malin e Zi kurse në fillim të majit luan si mysafire ndaj nënkampiones së botës, Suedisë.

Bordi ka marrë vendim për emërimin e trajnerit të ri pas situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, që ka prekur sportin në gjithë botën.

Për shkak të kufizimeve në udhëtim, trajneri i deritashëm, Taip Ramadani e ka të pamundur që të udhëtojë nga Australia që të jetë në krye të ekipit. Për këtë arsye Ramadani ka ofruar dorëheqjen e tij.

Bordi, duke çmuar kontributin e Ramadanit, ka vendosur të pranojë dorëheqjen e tij, duke u bazuar në rrethanat e krijuara.

Qerimit ka bërë karrierë si trajner në Belgjikë. Së fundi ishte seleksionues i U-20 të Belgjikës. 

(Kosova Sot Online )