Sanremo bashkon Ibrën me Mihajlovic, do të këndojnë së bashku në skenën e Ariston

  • S.A /
  • 19 February 2021 - 15:11
Sanremo bashkon Ibrën me Mihajlovic, do të këndojnë së bashku në skenën e Ariston

Atë që nuk e bëri dot klubi i Bolognës një vit më parë, ia arriti prezantuesi i Sanremos, Amadeus, që do të bëjë bashkë trajnerin serb Sinisa Mihajloviç dhe sulmuesin suedez me origjinë nga Bosnja, Zlatan Ibrahimoviç.

Të dy ballkanasit, që përveç të tjerave kanë një miqësi shumë të fortë me njëri-tjetrin, do të këndojnë së bashka në skenën e Ariston-it në Sanremo, ndërsa zyrtarizimi i këtij detaji të spektaklit pritet të vijë në ditët e ardhshme.

Dyshja e organizatorëve të festivalit të Sanremos, Amadeus-Fiorello kanë bërë një punë të jashtëzakonshme duke bashkuar dy miq në jetë e rivalë në futboll, por edhe personazhe mjaft karizmatikë si Ibra e Mihajloviç.

Të dy ishin shumë pranë bashkimit edhe në futboll në dhjetorin e 2019-ës, me Mihajloviç që kërkoi me ngulm Ibrën te Bologna, por atëherë suedezi vendosi të zgjedhë Milanin, ndërsa tani do të jenë përkrah njëri-tjetrit në Sanremo.

Megjithatë tifozët e Bolognës nuk kanë arsye për t’u shqetësuar, pasi Sinisa Mihajlovic do të jetë i ftuar vetëm në një nga netët e festivalit, ndryshe nga Ibra që do të jetë aty gjatë gjithë periudhës së spektaklit.

(Kosova Sot Online )