Guardiola pas fitores kundër Arsenalit: Sa mirë është të fitosh 1:0 nganjëherë

  • S.A /
  • 22 February 2021 - 10:02
Guardiola pas fitores kundër Arsenalit: Sa mirë është të fitosh 1:0 nganjëherë

Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, është ndarë shumë i kënaqur me fitoren e skuadrës së tij 1:0 kundër Arsenalit të dielën, duke thënë se e ka shijuar triumfin minimal në Emirates.

Ai i lartësoi lojtarët e vet për cilësitë luftarake në fitoren e 18-të radhazi në Premierligë.

Goli i hershëm me kokë i Raheem Sterling mjaftoi për Man City që t’i fitojë tri pikë dhe ta rrisë në 10 pikë epërsinë në krye të tabelës ndaj rivalit Manchester United dhe vendit të tretë Leicester City.

City, megjithatë, ka mundur ta fitonte ndeshjen me rezultat më të thellë sepse krijoi shumë mundësi të tjera.

“Është shumë e vështirë të luash kundër Arsenalit. Ne e dinim se kundër tyre do të ishte njëra prej ndeshjeve më të vështira por e shënuam një gol herët dhe e kontrolluan ndeshjen”, tha Guardiola.

“Natyrisht se ne kemi mundur ta shënonim golin e dytë dhe të tretë, por ata u mbrojtën shumë mirë. Nuk mund ta fitosh çdo ndeshje 2:0, 3:0 apo 4:0. Sa mirë është të fitosh 1:0 nganjëherë”, shtoi ai.

(Kosova sot Online  )