Prishtina e mund Dritën, Gjilani e ndal Ballkanin në garën e nxehtë për titull në Superligë

  • S.A /
  • 24 February 2021 - 15:38
Prishtina e mund Dritën, Gjilani e ndal Ballkanin në garën e nxehtë për titull në Superligë

Prishtina e ka mundur 2:0 Dritën, derisa Gjilani e ka ndalur Ballkanin me një barazim 1:1 në dy ndeshjet kryesore të javës së 21-të në Superligë, duke e bërë edhe më të nxehtë garën për titull.

Duket se gara për titull në ligën elitare do të jetë më e nxehtë seç pritej dhe do të zhvillohet në tri fronte, pas humbjes së dytë radhazi të kampiones në fuqi.

Në ndeshjet tjetër të kësaj xhiroje të mesjavës, Trepça ’89 vazhdoi me formën mbresëlënës në vitin 2021 duke e mundur Llapin 1:0.

Prishtina 2:0 Drita

Prishtina e vazhdoi ecurinë e fitoreve të njëpasnjëshme në vitin 2021, duke e mundur Dritën në Stadiumin Fadil Vokrri, e cila për më shumë se gjysmë ore lojë luajti me një futbollist më pak në fushë.

Skuadra e Zekrija Ramadanit, e cila i ka fituar të gjitha tri ndeshjet prej se rifilloi sezoni 2020/21 pas pushimit dimëror, e ka bërë një hap të madh në garë për titull duke iu afruar në vetëm katër pikë liderit të Superligës, Ballkani.

Leutrim Bekteshi shënoi me kokë për t’i kaluar në epërsi bardhekaltrit pas një harkimi nga Endrit Krasniqi në minutën e 17-të.

Dritës iu vështirësuan gjërat kur akrepat shënonin një orë lojë, pasi Henry Olanka u përjashtua nga lojë pas kartonit të dytë të verdhë.

Gjilanasit patën disa mundësi për ta barazuar rezultatin, megjithëse luanin me një lojtar më pak, dhe ia dolën të shënonin një herë, por goli i Kastriot Rexhës me kokë u anulua për pozitë jashtë loje.

Tun Bardhoku e vulosi triumfin e tretë radhazi të Prishtinës në minutën e 87-të kur e dyfishoi epërsinë.

Në xhiron e ardhshme, Prishtina e viziton Trepçën ’89 në Mitrovicë, ndërsa Drita e pret Besën.

Gjilani 1:1 Ballkani

Lideri Ballkani u ndal me një barazim 1:1 nga Gjilani në minutat e fundit të takimit në Stadiumin e Qytetit në Gjilan, duke dështuar ta shfrytëzojë lëshimin e Dritës për ta rritur epërsinë në krye të tabelës.

Ballkani, i cili ishte në kërkim të fitores së tretë radhazi që prej se drejtimin e skuadrës e mori Blendi Shkëmbi, kaloi në epërsi një çerek para përfundimit të ndeshjes, përmes Mevlan Zekës.

Megjithatë, Darko Nikac e shpëtoi Gjilanin nga humbja e dytë radhazi kur shënoi për 1:1 në minutën e 78-të.

Klubi nga Suhareka është lider me 45 pikë, një më shumë se Drita dhe katër më shumë se Prishtina.

Gjilani, i cili ende është në kërkim të fitores së parë këtë vit, ngel në pozitën e katër me 31 pikë.

Xhiron e ardhshme, Ballkani e viziton Llapin në Podujevë, ndërsa Gjilani i shkon Drenicës në Skenderaj.

Në takimin e fundit të së mërkurës, Trepça e mundi 1:0 Llapin, duke e realizuar fitoren e dytë nga tri ndeshje në vitin 2021.

Mohamed Darwish e realizoi golin e tri pikëve të reja për klubin mitrovicas në Riza Lushta.

Trepça ’89 gjendet në pozitën e pestë me 28 pikë, ndërsa skuadra nga Podujeva ngel në vendin e shtatë me 23 pikë, vetëm tri larg zonës së rënies nga liga.

Në ndeshjet e mbetura të javës së 21-të që do të zhvillohen nesër, takohen Feronikeli – Drenica dhe Arbëria – Besa.

(Kosova Sot Online )