Superiorja ndizet me derbin e Shqipërisë, Partizani-Laçi sfidë rivalësh

  • S.A /
  • 27 February 2021 - 10:02
Superiorja ndizet me derbin e Shqipërisë, Partizani-Laçi sfidë rivalësh

Vllaznia-Tirana s’ka qenë asnjëherë një sfidë normale, jo vetëm se është derbi i Shqipërisë por sepse shpesh ka vendosur dhe fatet e objektivave të dy skuadrave apo qoftë dhe një sezoni të tërë.

Në orën 13:00, dy ekipet me më shumë traditë në futbollin shqiptar nuk mund të vinin në moment më negativ, por një fitore mund të ndryshojë totalisht ecurinë. Tirana duket se e ka dorëzuar kurorën e kampiones, por Vllaznia për ta rrëmbyer duhet t’i mposhtë në fushë, pasi nuk është i vetmi pretendent. Rezultatet e javëve te fundit kanë sjellë një ngushtim me ndjekësit dhe një tjetër hap fals ndaj bardhebluve mund të ishte i vështirë për t’u rikuperuar.

Në javët e fundit, Vllazninë i kanë munguar rezultatet, i ka munguar loja herë pas here dhe kompaktësia që e ka bërë të kryesojë deri tani, ndërsa Tirana problemet duket se i ka shkaktuar vetë. Largimi i Muçit së fundmi ka mbushur arkat por ka pakësuar cilësinë, që ndaj Vllaznisë nevojitet. Në fushë megjithatë ndonjëherë vendosin episodet. Por përtej episodeve, derbi Shqipërisë është ndeshja që duhet shijuar aq më tepër që luhet për fatet e sezonit.

Po në orën 13:00, luhen Bylis – Skënderbeu dhe Kastrioti-Apolonia. Në Ballsh është një sfidë rivalësh për të shmangur rënien  nga kategoria. Sigurisht që faktori fushë favorizon ekipin e drejtuar nga Dovedan, që me një fitore të mundshëm do të shkonte +5 nga korçarët, që nën drejtimin e Memellit kanë dhënë sinjale ringritjeje.

Në të njëjtin orar, Kastrioti i mesit të artë kërkon maksimumin e pikëve ndaj një Apolonie që i kanë munguar rezultatet por jo dëshira për të bërë mirë në Superiore. Një ndeshje e hapur, që gjithsesi favorizon krutanët, të cilët kanë edhe qetësinë e renditjen.

Java e mbyllet me  supersfidën Partizani-Laçi, që do të luhet në orën 16:00, në “Elbasan Arena”.

Dy pretendentë për titull, që do të përplasin brirët edhe në Kupën e Shqipërisë.

Në dy takimet e para kurbinasit kanë bilanc pozitiv, pasi kanë barazuar në fushën e Partizanit pa gola dhe kanë fituar 3-2 në Laç, po gjërat kanë ndryshuar shumë, pasi të kuqtë kanë bërë merkato shumë cilësore dhe kanë një nga organikat më të pasura të Superiores. Të dyja skuadrat do të kenë mungesa të shumta, por në këtë kontekts Partizani duket më i favorizuar falë stolit më të pasur.

Java 21

Teuta – Kukësi   2-2
Vllaznia-Tirana   13:00
Bylis-Skënderbeu      13:00
Kastrioti-Apolonia    13:00
Partizani-Laci     16:00

(Kosova Sot Online )