Koeman: Barcelona besoi në rikthim kundër Sevillës

  • S.A /
  • 04 March 2021 - 08:41
Koeman: Barcelona besoi në rikthim kundër Sevillës

Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, e ka lartësuar skuadrën e vet për mendësinë e shfaqur në triumfin me rikthim të jashtëzakonshëm 3:0 kundër Sevillës në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit, duke thënë se katalonasit asnjëherë nuk hoqën dorë nga kjo garë.

Barcelona e kishte humbur ndeshjen e parë 2:0 në udhëtim dhe i duhej një mrekulli tjetër për ta siguruar finalen.

Ousmane Dembele e kaloi Barçën në epërsi në fillim të takimit, para se Gerard Pique ta dërgonte ndeshjen në kohën shtesë me një gol me kokë në çastet e fundit, duke ia mundësuar Martin Braithwaite ta shënojë golin e kualifikimit në finale. Koeman beson se Barça e tij arriti ta përmbysë Sevillën falë mendësisë së fortë.

“Ne kemi besuar vazhdimisht. Ne kurrë nuk hoqëm dorë nga Kupa. Ishte çështje mendësie”, tha Koeman.

“Unë, si trajner, nuk mund t’i kërkoj ekipit tim më shumë se çfarë kam parë sonte. Ne luftuam deri në kohën shtesë. Jam i lumtur me punën e ekipit sonte.”

Ai shtoi: “Ne e merituam të kalojmë në finale. Mendoj se ishim më të mirë në të dy ndeshjet. Ishim ekipi më i mirë”.

(Kosova Sot Online )