NBA: Mposhten Utah Jazz dhe Los Angeles Lakers

  • S.A /
  • 04 March 2021 - 13:34
NBA: Mposhten Utah Jazz dhe Los Angeles Lakers

Tjetër disfatë për kryesuesit e Konferencës së Perëndimit në NBA. E desh koha shtesë për të vendosur supersfidën mes Philadelphia 76ers dhe Utah Jazz, e fituar nga të parët me rezultatin 131-123.

Thuajse gjatë gjithë kohës së rregullt Jazz qëndruan në kryesim, madje shkuan edhe +13 pikë në periodën e dytë, por 76ers e ngushtuan diferencën duke e barazuar rezultatin në fund 118-118 falë një trepikëshi të Joel Embiid, protagonist absolut i sfidës me 40 pikë dhe plot 19 “rebound”. Në kohën shtesë u shfaq i papërmbajtshëm Tobias Harris, që realizoi 11 nga 13 pikët e tij.

Fitore bindëse në transfertë e Brooklyn Nets 114-132 përballë Houston Rockets. U rikthye në shtëpi, por këtë radhë si kundërshtar, James Harden, autor i një “triple-double”: 29 pikë, 14 asiste dhe 10 “rebound”.

Në fakt, Rockets luajtën një periodë të parë me nivel, por më pas gjithçka foli për Nets, që krijuan shumë shpejt një diferencë të parikuperueshme pikësh për vendasit, që pësuan humbjen e 13-të radhazi.

Dështuan në parketin e Sacramento Kings Los Angeles Lakers me rezultatin 123-120. E kuptueshme kjo disfatë e skuadrës kaliforniane në një mbrëmje ku nuk ishin të pranishëm mbi parket LeBron James, Anthony Davis, Marc Gasol dhe Alex Caruso.

Megjithatë Lakers kryesuan në pjesën e parë, por Kings e kthyen përballjen limit në favorin e tyre, falë gjuajtjeve të sakta të lira të Harrison Barnes. Spikati në këtë takim Buddy Hield me 29 pikë.

Sukses edhe për Detroit Pistons, që e patën të lehtë përballë Toronto Raptors, duke fituar me diferencë 129-105. Skuadra kanadeze, në fakt, ishte e detyruar ta luante këtë sfidë pa gjysmën e organikës. Shënuesi më i mirë i piston rezultoi Wayne Ellington me 25 pikë.

Rezultatet:

Philadelphia 76ers – Utah Jazz 131-123

Houston Rockets – Brooklyn Nets 114-132

Orlando Magic – Atlanta Hawks 112-115

Sacramento Kings – Los Angeles Lakers 123-120

Portland Trail Blazers – Golden State Warriors 108-106

Toronto Raptors – Detroit Pistons 105-129

Dallas Mavericks – Oklahoma City Thunder 87-78

New Orleans Pelicans – Chicago Bulls 124-128

Minnesota Timberwolves – Charlotte Hornets 102-135

Cleveland Cavaliers – Indiana Pacers 111-114

(Kosova Sot Online )