Kush është presidenti i ri i Barcelonës Laporta dhe a mund ai ta bindë Messin të qëndrojë?

  • S.A /
  • 08 March 2021 - 11:58
Kush është presidenti i ri i Barcelonës Laporta dhe a mund ai ta bindë Messin të qëndrojë?

Joan Laporta u zgjodh president i Barcelonës të dielën duke i fituar 54.28% të votave, dhe tani do të jetë në krye të një organizate në nevojë dëshpëruese për një udhëheqësi pozitive, pasi paraardhësi i tij dha dorëheqje në tetor dhe pandemia i dha një goditje të rëndë financiare klubit.

Ky është mandati i dytë i Laportës si president i klubit katalonas. Ai shërbeu si president për herë të fundit në vitin 2010, kur një 22-vjeçar i quajtur Lionel Messi po e shtrinte ndikimin e tij të madh në botën e futbollit.

Laporta e përdori të kaluarën e vet me Messin për t’i bindur votuesit se lidhjet e tij të ngushta me argjentinasin mund ta ndihmojnë atë ta parandalojë largimin e kapitenit në verë.

Shumë gjëra kanë ndryshuar që prej mandatit të parë të Laportës, por ai pretendon se e njeh strategjinë e duhur për ta kthyer stabilitetin që Barcelona e shijoi para një dekade.

Kush është Joan Laporta?

Laporta ishte president i Barcelonës në të kaluarën, nga viti 2003 deri më 2010 dhe u udhëhoqi klubin shumë suksesshëm në të gjitha frontet.

Gjatë asaj kohe, Barcelona i fitoi katër tituj në La Liga, dy trofe në Ligën e Kampionëve dhe i nxori nga akademia e klubit yjet si Messi dhe Andres Iniesta, si dhe ekipit ia shtoi yjet nga jashtë si Ronaldinho dhe Samuel Eto’o.

Pasi i fitoi zgjedhjet e këtij viti, Laporta do të jetë në pushtet deri më 2026.

Për çfarë çështjes bëri fushatë Laporta?

Laporta e përdori përvojën e mëparshme si president i Barcelonës për të bërë fushatë, duke u thënë votuesve se ai do të ishte në gjendje ta bindë Messin e palumtur të qëndrojë në klub edhe më tej, sepse argjentinasi i beson atij. Ai po ashtu u zotua se do ta zgjerojë stadiumin Camp Nou.

“T’ju them të vërtetën, unë jam kandidati me më së shumti përvojë dhe përkushtim, si dhe njeriu më i besueshëm në sytë e Messit”, kishte thënë Laporta para zgjedhjeve.

(Kosova Sot Online )