FC Prishtina harron Armend Thaçin, krenohet me superformën e Besnik Krasniqit

  • S.A /
  • 08 March 2021 - 15:49
FC Prishtina harron Armend Thaçin, krenohet me superformën e Besnik Krasniqit

Pas transferimit të Armend Thaçit nga FC Prishtina te Ballkani gjatë verës së kaluar, klubi bardh e kaltër ishte gozhduar nga shumëkush për lirimin e një futbollisti shumë cilësor siç është Thaçi, i cili kohë pas kohe ftohet edhe në Kombëtaren e Kosovës. Edhe kritikat e tifozëve ndaj klubit bardh e kaltër ishin të mëdha. Por, prishtinasit besonin se me rikthimin e Besnik Krasniqit do ta mbulonin largimin e Thaçit. Dhe, ardhja e Krasniqit në kryeqytet nga Ballkani po del të jetë një transferim mjaft i qëlluar dhe produktiv.

Prishtina tashmë i është kthyer shumë seriozisht garës për titull duke iu afruar në tri pikë Dritës dhe në një pikë Ballkanit. Ndërsa, në këtë ecuri mbresëlënëse të bardhekaltërve një kontribut shumë të madh po e jep edhe vet Krasniqi, i cili po kalon nëpër një formë të shkëlqyeshme, prej të cilës po përfiton shumë skuadra e cila nuk e ka fituar qe shtatë vjet titullin e kampionit.

Se Krasniqi po e bën mrekullinë me Prishtinën e konfirmon edhe fakti se vet klubi bardh e kaltër ka nxjerr statistika të futbollistit për tifozët e saj në faqen zyrtare në “Facebook”.

Në shkrimin e FC Prishtinës për Besnik Krasniqin thuhet:

Besnik Krasniqi, golashënuesi aktiv i dytë pas luftës

Mbrojtësi i djathtë i Prishtinës, Besnik Krasniqi, i rikthyer sivjet në skuadër, është duke e zhvilluar sezonin e 6-të me ekipin me të cilin nisi karrierën e futbollistit, Prishtinën.

Krasniqi, pas rikthimit në skuadër, ka shënuar 6 gola, ndërsa në pesë edicionit e kaluara (2008-2013) kishte shënuar edhe 16 gola tjerë.

Me 22 golat e shënuar, tani Besnik Krasniqi është momentalisht nga futbollistët aktiv i dyti me më së shumti gola të shënuar pas luftës, vetëm Gauthier Mankenda ka më shumë, 30 gola.

Megjithatë është 38 gola larg golashënuesit më të mirë të skuadrës pas luftës, Sheremet Isufit me 60 gola të shënuar.

Besnik Krasniqi me Prishtinën me edicionin e tij të gjashtë me skuadrën bardhekaltër ka arritur në shifrën prej 161 ndeshjeve në tre gara zyrtare.

(Kosova Sot Online )