Besnik Krasniqi e do titullin me FC Prishtinën

  • S.A /
  • 09 March 2021 - 15:08
Besnik Krasniqi e do titullin me FC Prishtinën

Largimi i Armend Thaçit nga Prishtina pas përfundimit të edicionit të kaluar krijoi shumë polemika te kampi bardhekaltër. Shumëkush largimin e tij e konsideruan gabim dhe nuk pritej që dikush do të arrinte të plotësonte boshllëkun që po lihej prapa. Thaqi ishte njëri nga më të mirët te Prishtina, ndërsa herë pas here ftohej edhe në Kombëtaren e Kosovës.

Por, prishtinasit besonin se me rikthimin e Besnik Krasniqit do ta mbulonin largimin e Thaçit. Krasniqi në verë u rikthye pas shtatë viteve në ekipin nga kryeqyteti. Edhe pse ishin larg me pikë, Prishtina ka hyrë fuqishëm në garë për titull në stinorin pranveror dhe gjendet vetëm tri pikë larg Dritës që gjendet në vendin e parë.

Kontribut të jashtëzakonshëm për formën e mirë që po kalojnë kryeqytetasit ka edhe mbrojtësi i djathtë, Besnik Krasniqi. Ai në një intervistë për medien ka thënë se është ambientuar mjaft mirë dhe se gjasat që Prishtina ta fitojë titullin janë shumë të mëdha.

“Jam ambientuar mjaft mirë dhe jemi në rrugë të mirë. Jemi duke bërë një punë të mirë, duhet të vazhdojmë. Gjasat janë shumë të mëdha, jemi afër duke marrë parasysh që kemi qenë shumë larg dhe duhet të vazhdojmë kështu në çdo ndeshje të japim maksimumin dhe do luftojmë deri në lojën e fundit për titull” – u shpreh Krasniqi.

Pas transferimit të Armend Thaçit nga FC Prishtina te Ballkani gjatë verës së kaluar, klubi bardh e kaltër ishte gozhduar nga shumëkush për lirimin e një futbollisti shumë cilësor siç është Thaçi.

Për këtë, Krasniqi tha se të dy veçohen për gjërat e tyre dhe ato janë mendime të shikuesve.

“Sa i përket mua e Thaçit janë mendime të shikuesve. Secili e kemi lojën tonë dhe veçohemi për gjërat tona. Unë do vazhdoj të jap maksimumin si gjithmonë dhe kam respekt për çdo lojtar” – theksoi Besnik Krasniqi.

Ai ka kontratë me Prishtinën deri në verën e vitit të kaluar, ndërsa tha se është i hapur për bisedime me klubin bardh e kaltër.

“Për kontratë kam edhe 1 vjet, të shikojmë çka do të ndodhë. Jam i hapur për biseda me Prishtinën, të shikojmë” – përfundoi Krasniqi.

Mbrojtësi i djathtë i Prishtinës, i rikthyer sivjet në skuadër, është duke e zhvilluar sezonin e 6-të me ekipin me të cilin nisi karrierën e futbollistit.

Krasniqi, pas rikthimit në skuadër, ka shënuar 6 gola, ndërsa në pesë edicionit e kaluara (2008-2013) kishte shënuar edhe 16 gola tjerë. 

(Kosova  Sot Online )