Drejtuesit e Zurichut, të privilegjuar me blerjen e Alitit

  • S.A /
  • 09 March 2021 - 15:14
Drejtuesit e Zurichut, të privilegjuar me blerjen e Alitit

Qendërmbrojtësi kosovar ka nënshkruar kontratë me klubin zviceran deri në vitin 2023. Dhe, drejtuesit e klubit zviceran ndihen të privilegjuar që do ta kenë në dispozicion përfaqësuesin kosovar

Paraqitjet e shkëlqyeshme që i bëri këta muaj me Zurichun kanë bërë që klubi zviceran ta blejë përfundimisht kartonin e Fidan Alitit. Qendërmbrojtësi kosovar ishte huazuar në ekipin nga Superliga zvicerane nga Kalmari në fillim të sezonit.

Drejtuesit e Zurichut ndihen të privilegjuar që do ta kenë në dispozicion më gjatë 27 vjeçarin, i cili nënshkroi kontratë deri në vitin 2023.

“Që kur iu bashkua Zurichut, Fidani e ka dhënë një kontribut domethënës për ta stabilizuar mbrojtjen tonë. Ai është një lojtar i mirë kolektiv dhe na ka bindur me pasioin dhe paraqitjet e mira të vazhdueshme. Ne jemi të nderuar që ai do të vazhdojë të mbetet pjesë e rëndësishme e ekipit tonë për të ardhmen”, ka thënë drejtori sportiv i Zurichut, Marinko Jurendic.

Aliti i ishte bashkuar Zurichut në tetor të vitit 2020 dhe nga ajo kohë i ka zhvilluar 21 ndeshje me këtë ekip, duke e realizuar edhe një gol.

Gjatë tërë sezonit ai luajti nga minuta e parë për ekipin zviceran.

Aliti ishte pjesë e Kalmarit nga viti 2019, ndërsa më parë kishte luajtur edhe në Old Boys, Luzern, Sheriff Tiraspol, Slaven Belupo dhe te Skënderbeu.

Së bashku me Amir Rrahmanin, Aliti është shtyllë e mbrojtjes së ekipit kombëtar të Kosovës. 

(Kosova Sot Online )