As Tucheli nuk po mund ta nxjerr nga kriza Wernerin

  • S.A /
  • 09 March 2021 - 16:23
As Tucheli nuk po mund ta nxjerr nga kriza Wernerin

“Ardhja e trajnerit Thomas Tuchel më ka ndihmuar shumë. Trajneri ka shumë ide rreth futbollit dhe më duhej dikush që të më bërtiste gjermanisht”.

Kështu shprehej pak kohë më parë sulmuesi i Chelseat, Timo Werner, për t’i uruar mirëseardhjen bashkëkombësit të tij, Tuchel. Në fakt, me emërimin e Tuchelit të gjithë mendonin se Werner do të rikthehej të shënonte por, nuk po ndodh kështu.

Në ndeshjen e fundit, kundër Evertonit, mediet britanike shkruajnë se numri një i stolit të bluve të Londrës shpesh u pa teksa kritikonte sulmuesin për performancën e tij të dobët.

Fjalët e Tuchel ishin: “Timo, nuk e sheh veten që ke 15 minuta që po qëndron vetëm në krahun e majtë, çfarë nuk po kupton?”

Pak minuta pas këtyre fjalëve, Chelsea arriti të shënonte, por goli nuk erdhi nga ana e Timo Wernerit.

Duket qartë sulmuesi ka një lloj ngërçi në lojën e tij. Për gjermanin Chelsea shpenzoi 55 milionë euro, por ai nuk po përmbush dot pritshmëritë. Në 37 ndeshje deri më tani me fanellën e bluve të Londrës, Werner ka gjetur vetëm 10 herë rrugën e rrjetës.

Nuk është një numër i vogël, por ndaj tij drejtuesit e klubit presin më shumë. Ndoshta ende nuk është përshtatur me Premier League-n dhe i duhet ende pak kohë, por situata e sulmuesit tek Chelsea nuk është nga më të mirat.

(Kosova Sot Online )