Federer rikthehet pas më shumë se një viti, mposht pa problem Evans

  • A.P /
  • 11 March 2021 - 19:48
Federer rikthehet pas më shumë se një viti, mposht pa problem Evans

Roger Federer u rikthye në fushat e lojës me fitore, teksa mundi në Katar në tre sete mikun e tij Daniel Evans. Takimin e fundit tenisti legjendar zviceran e kishte zhvilluar më 30 janarin e vitit 2020, në “Melbourne Park” në fazën gjysmëfinale, ku veterani helvet u mund 7-6, 6-4, 6-3 nga Novak Djokovic, pikërisht tenisti më i suksesshëm në gjithë historinë e Slam-it Australian. Kjo ishte ndeshja e parë në afërsisht 14 muaj për 39-vjeçarin nga Bazeli, sepse siç dihet sikur të mos mjaftonte pandemia e koronavirusit Roger Federer u tërhoq nga të gjitha aktivitetet, për shkak të një dëmtimi.

Roger është tenisti më i suksesshëm në historinë e Qatar Open dhe në fakt Federeri ka triumfuar plot 3 herë në Doha, në vitet 2005, 2006 e 2011. Kampion në fuqi në kryeqytetin e Katarit është tenisti rus Andrey Rublev, që sezonin e kaluar mposhti në finale në vetëm dy sete francezin Corentin Moutet. Këtë radhë 23-vjeçari moskovit mban numrin 3 të turneut, pas emrave të tillë si Dominic Thiem dhe Roger Federer, e këta janë edhe sportistët që pritet të nxjerrin tenistin fitues në edicionin e 29 të Qatar Open, duke patur parasysh që 2 herë fituesi i këtij turneu, numri 1 i botës Novak Djokovic këtë herë ka preferuar për të mos marrë pjesë. Roger tregoi një formë të mirë, duke patur parasysh që kundërshtari I tij pozicionohet në vendin e 28, në klasifikimin e përgjithshëm ATP.

Në setin hapës dy tenistët ruajtën radhën e shërbimeve, e për rrjedhojë llogaritë e setit të parë u mbyllën në tie break. Në lojën përcaktuese të setit hapës, pasi i anuloi një mundësi për setin tenistit britanik veterani zviceran ia doli mbanë për të fituar setin e parë me set point-in e tretë në dispozicion. Pasi mori këtë set me rezultatin 10-8 në tie break 39-vjeçari helvet u thye në servis në game-n e katërt të setit pasardhës dhe 30-vjeçari nga Birminghami ekuilibroi takimin, duke fituar 6-3. Në game-n e shtatë të setit final numri 6 në rruzull I anuloi dy mundësi për break tenistit nga West Midlands dhe më pas pikërisht atëherë kur të gjithë prisnin një tjetër tie break Federeri i rrëmbeu shërbimet tenistit anglez, për të triumfuar me shifrat 7-5.

Një ndeshje impenjative dhe tepër e lodhshme, që zgjati pothuajse dy orë e gjysmë, sidoqoftë në fund në “Khalifa Tennis Complex” Roger deklaroi se e mbylli takimin duke ndjerë dhimbje. Fituesi i 20 trofeve Slam në karrierë konsiderohet si tenisti favorit, për të triumfuar në krahun e poshtëm të shortit, në turneun e përvitshëm që zhvillohet në këtë pjesë të Gjirit Persik. Ky aktivitet përgjithësisht organizohet në ditët e para të muajit janar, ndërsa këtë radhë gjithçka u shty, për shkak të zhvillimit në këtë anë të Lindjes së Mesme të ndeshjeve kualifikuese, të vlefshme për Australian Open, që këtë herë u zhvilluan në këtë pjesë të globit. Një kthim shumë i rëndësishëm mbi të gjitha në aspektin psikologjik, pas plot 405 ditëve, për numrin 6 në planet, që kërkon të provojë veten menjëherë në nivelet më të larta.

Pas një mungese pothuajse 14-mujore dhe dy operacioneve në gju Roger Federer ia doli mbanë në këtë mënyrë për t’u kualifikuar për në fazën çerekfinale të turneut të Doha-s dhe veterani helvet deklaroi pa humbur kohë se u ndje vërtet shumë mirë për rikthimin e tij dhe fitoren. Roger tha se për të nuk ishte shumë i rëndësishëm rezultati. Federeri shtoi se gjëja më e rëndësishme për të tani është të kuptojë se si do të ndihet në ditët në vazhdim, apo pas gjashtë muajve, në mënyrë që të mësojë forcën e vërtetë, pasojat dhe limitet e trupit të tij.

Roger vlerësoi ndeshjen shumë të mirë dhe freskinë fizike të mikut të tij Dan Evans, sidoqoftë në fund ai shpjegoi se u ndje shumë mirë për nivelin e shfaqur në fushën qendrore të këtij kompleksi. Kjo është fitorja e 1.243 në karrierë për Federerin, në ATP Tour dhe sa për të bërë një krahasim mund të thuhet se për një makinë që ka qëndruar e parkuar dhe nuk është përdorur për afërsisht 14 muaj, motori u mbajt mirë dhe punoi në mënyrë të shkëlqyer, për më tepër 39-vjeçari nga Bazeli e regjistroi një sukses të tillë ndaj një tenisti që është 10 vjet më I ri dhe që pozicionohet brenda 30 më të mirëve të botës.

(Kosova Sot Online)