Van Dijk dhe Gomez do të mungojnë edhe në EURO 2020, thotë Klopp

  • A.P /
  • 14 March 2021 - 09:02
Van Dijk dhe Gomez do të mungojnë edhe në EURO 2020, thotë Klopp

Qendërmbrojtësit Virgil van Dijk dhe Joe Gomez nuk do të riaftësohen plotësisht për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian 2020 gjatë kësaj vere, sipas trajnerit të Liverpooli Jurgen Klopp.

Përfaqësuesi i Holandës Van Dijk u operua pas një lëndimi të rëndë në ligamentet e gjurit në tetor.

Gomez u lëndua gjatë një ndeshjeje me Kombëtaren e tij, Anglinë, në nëntor dhe u operua në gjurin e majtë.

“Joe nuk është duke vrapuar, Virgil ka filluar të vrapojë tashmë por do të jetë shumë e vështirë”, tha Klopp.

EURO 2020 do të mbahet nga 11 qershori deri më 11 korrik, pasi u shty për një vit për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Duke folur për përfshirjen e mundshme të Van Dijk dhe Gomez në këtë turne, Klopp: “Nuk është vendimi im, por të jem i sinqertë, siç jam informuar unë, ka shumë pak gjasa”.

“Jo sepse unë nuk i lejoj të shkojnë, por për shkak të shkallës së lëndimit të tyre. Ne shpresojmë se ata do të jenë të gatshëm t’i nisin përgatitjet me ne për sezonin e ardhshëm, këtë shpresë e kemi ne”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)