Zidane për kthimin e Ronaldos në Real Madrid: Po, mund të ndodhë

  • S.A /
  • 15 March 2021 - 14:44
Zidane për kthimin e Ronaldos në Real Madrid: Po, mund të ndodhë

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, ka thënë se mund të ketë diçka të vërtetë në thashethemet për rikthimin e Cristiano Ronaldos në Santiago Bernabeu, tri vjet pasi u largua për t’iu bashkuar Juventusit.

Sulmuesi 36-vjeçar iu bashkua Juventusit për 120 milionë euro në vitin 2018. Marrëveshja e tij me bardhezinjtë me pagë vjetore prej 30 milionë eurove mbaron në qershor të vitit 2022. Superylli portugez i pati një javë të vështirë, pasi u eliminua herët nga Liga e Kampionëve për herë të tretë radhazi me Juventusin.

Ai u fajësua në Itali për eliminimin e bardhezinjve nga Porto në 1/8 e finales, pasi ia ktheu shpinën topit dhe e lejoi atë të përfundojë në rrjetë pas gjuajtjes së lirë të Sergio Oliveiras, një gol që ia siguroi portugezëve kalimin në çerekfinale.

Gjatë javës, mediat spanjolle raportuan se menaxheri i Ronaldos, Jorge Mendes, kishte diskutuar me Real Madridin për kthimin e tij në Santiago Bernabeu. Një skenar i cili, në këtë kohë, duhet vështirë i imagjinueshëm.

Ama Zidane ka lënë të kuptohet se, megjithatë, kthimi i tij te ish-klubi është i mundshëm.

“Po, mund të ndodhë”, u përgjigj Zidane i pyetur për kthimin e mundshëm të Ronaldos në Madrid.

“Ne e njohim Cristianon, ne e dimë çfarë personi është ai dhe e dimë se çfarë ka bërë ai këtu. Por tani është lojtar i Juventusit dhe duhet ta respektojmë këtë”, shtoi ai.

“Tani, ta shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Kam qenë shumë më fat që isha trajner i tij. Ai është mahnitës, po e ndihmon Juventusin”. 

(Kosova Sot Online )