Nuk u ftua nga Kosova, futbollistët e Ballkanit ironizojnë në këtë mënyrë për Mirlind Dakun

  • G.G /
  • 18 March 2021 - 15:26
Nuk u ftua nga Kosova, futbollistët e Ballkanit ironizojnë në këtë mënyrë për Mirlind Dakun

Mirlind Daku ishte emri më i përfolur i ditëve të fundit në futbollin kosovar.

Ylli i Superligës nuk u ftua nga selektori Bernard Challandes për ndeshjet e marsit, kur ekipi kombëtar i Kosovës do të luajë me Lituaninë më 24 mars dhe me Suedinë e Spanjën më 28 respektivisht 31 mars.

Në listën e trajnerit zviceran bëjnë pjesë vetëm tre sulmues, njëri prej tyre Benjamin Kololli, i cili pozitë natyrale e ka atë të mbrojtësit të majtë.

Dhe, mungesa e emrit të Dakut në këtë listë ka bërë që të nisë mbështetja për të.

Kjo pasi sulmuesi gjilanas i ka realizuar plot 25 gola në ligën elitare këtë sezon dhe kjo nuk ka mjaftuar që ai të gjejë vend në listën e Challandes.

Bashkëlojtarët e tij te Ballkani, Mevlan Zeka, Arbër Prekazi dhe Egzon Sinani i kanë dalë në krahë Dakut, ndërkohë që me postimet që i kanë bërë në rrjetet sociale, respektivisht në Instastory, pjesë e Instagramit, kanë ironizuar me trajnerin zviceran dhe stafin e tij, që e lanë jashtë listës sulmuesin shtatlartë.

Në foto-montazh, Daku shihet duke luajtur tenis, pasi shokët e tij janë befasuar që gjithë ajo çka ka bërë duke luajtur futboll nuk ka mjaftuar që të ftohet në Kombëtare, prandaj ia kanë ndërruar sportin.

Në përkrahje Dakut i ka dalë edhe ish-trajneri i tij tek Ballkani, Ismet Munishi, me një postim të bërë sot në Facebook.

(Kosova Sot Online)