Zyrtare: Japonia mbyll dyert për të huajt edhe gjatë Lojërave Olimpike

  • E.K /
  • 20 March 2021 - 15:21
 Zyrtare: Japonia mbyll dyert për të huajt edhe gjatë Lojërave Olimpike

Asnjë turist i huaj nuk mund të udhëtojë drejt Japonisë gjatë lojërave Olimpike, që u shtynë verën e kaluar për shkak të koronavirusit dhe janë planifikuar të mbahen nga 23 korriku deri më 8 gusht të këtij viti.

Vendimi është marrë gjatë një mbledhjeje ndërmjet presidentes së Komitetit Organizativ Seiko Hashimoto dhe ministrit të sporteve në Japoni, Tamayo Marukawa, si dhe pjesëmarrjen online të presidentit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach.

Shkak është bërë situata e rënduar e pandemisë Covid-19 dhe qeveria japoneze ka preferuar të mos ndërmarrë një risk të tepruar, duke lejuar futjen e miliona njerëzve të huaj në vend gjatë javëve të Lojërave Olimpike.

Aktualisht Japonia i ka kufijtë e mbyllur, por nuk po arrin dot të menaxhojë situatën me koronavirusin, teksa në fillim të vitit arriti edhe pikun me mesatarisht 2500 të prekur në ditë vetëm në Tokio.

Vendimi për mbylljen e dyerve për të huajt në Lojërat Olimpike është mjaft i dhimbshëm edhe për qeverinë japoneze, që kishte parashikuar të ardhura shumë të mëdha, por deri tani ka pësuar vetëm humbje, fillimisht për shkak të shtyrjes dhe tani për mungesën e të huajve në vend, prej të cilëve pritej të arkëtoheshin miliona euro nga shitja e biletave.

(Kosova Sot Online)