“Vëlla, kah po shkojmë?” Zeneli dhe Berisha nisen drejt Kosovës

  • S.A /
  • 22 March 2021 - 12:15
“Vëlla, kah po shkojmë?” Zeneli dhe Berisha nisen drejt Kosovës

Arbër Zeneli dhe Valon Berisha kanë udhëtuar drejt Prishtinës nga qyteti francez Reims, për t’iu bashkuar ekipit kombëtar të Kosovës në prag të ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës në fund të këtij muaji.

Bashkimi i Zenelit dhe Berishës me Kombëtaren e Kosovës për tri ndeshjet e këtij fund muaji ishte në dyshim serioz, për shkak të masave kundër pandemisë në Francë.

Klubet e Ligue 1 kishin rënë në ujdi të mos i lironin lojtarët e vet për t’iu bashkuar kombëtareve të tyre përkatëse për ndeshjet e marsit, duke iu druajtur izolimit kur të ktheheshin në Francë.

Ministria franceze, megjithatë, ka marrë vendim për të mos iu kërkuar ta respektojnë masën e izolimit shtatëditor lojtarëve që udhëtojnë jashtë zonës evropiane.

Kjo nënkupton se Zeneli dhe Berisha nga Stade de Reims dhe Bersant Celina i Dijonit do t’i bashkohen Kosovës përfundimisht.

Dyshja e Reims madje është nisur drejt Prishtinës tashmë dhe këtë e ka konfirmuar përmes një videoje në rrjetet sociale.

“Vëlla, kah po shkojmë? E pyet Zeneli Berishën në një video duke vozitur.

“Erdhëm, erdhëm, dalëngadalë”, i përgjigjet Berisha, duke lënë të nënkuptohet se ata janë rrugës drejt Prishtinës, ku do të mblidhet ekipi kombëtar verdhekaltër.

Kombëtarja e Kosovës pritet të mblidhet sot në Prishtinë për t’i nisur përgatitjet për fushatën e dytë kualifikuese për Kupën e Botës në historinë e vet.

Por para se t’i nisin kualifikimet për Botërorin Katari 2022, verdhekaltrit do të përballen me Lituaninë në një ndeshje miqësore më 24 mars në Prishtinë.

Të dielën më 28 mars, Kosova e pret Suedinë në stadiumin “Fadil Vokrri” për ndeshjen hapëse për Katari 2022, para se të udhëtojë drejt Sevillës për t’u përballur me Spanjën.

(Kosova Sot Online )