Bora anulon stërvitjen e Kosovës në “Fadil Vokrri”

  • S.A /
  • 22 March 2021 - 12:31
Bora anulon stërvitjen e Kosovës në “Fadil Vokrri”

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka nisur që të grumbullohet në Prishtinë në kuadër të përgatitjeve për tri ndeshjet e muajit mars, miqësores ndaj Lituanisë, dhe sfidave kualifikuese për Kampionatin Botëror ndaj Suedisë dhe Spanjës.

Drejtori i Përfaqësueses, Muharrem Sahiti, ka njoftuar se tashmë është anuluar stërvitja e paraparë për t’u zhvilluar sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në ora 19:00 shkaku i borës që po bie pa ndërprerë në vendin tonë.

“Për shkak të reshjeve të mëdha të borës dhe kushteve të rënda atmosferike, është anuluar stërvitja në “Fadil Vokrri”, ajo do të zhvillohet në një fushë të mbuluar”, ka thënë Muharrem Sahiti.

“Ditën e sotme dhe dje kemi pasur probleme edhe me fluturime të futbollistëve për shkak të borës. Presim që të tubohemi sa më parë”, shtoi Muharrem Sahiti.

Kosova më 24 mars e zhvillon miqësoren me Lituaninë në Prishtinë, më 28 mars luan po ashtu në “Fadil Vokrri” ndaj Suedisë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror, kurse më 31 mars e sfidon Spanjën në ndeshjen e dytë kualifikuese në Sevillë.

(Kosova Sot Online )