Shqipëria e pret Zymer Bytyqin

  • A.P /
  • 22 March 2021 - 17:05
Shqipëria e pret Zymer Bytyqin

Zymer Bytyqi mund të jetë tjetër emër që e lë Kosovën dhe i bashkohet ekipit të Shqipërisë.

Kështu po raporton Panorama Sport, që thekson se emri i radhës që mund të vishet kuqezi në muajin qershor, për dy miqësoret, është mesfushori i Konyasporit, Zymer Bytyqi.

I lindur në Snt.Truden të Belgjikës, mesfushori 24-vjeçar ka luajtur me Kosovën edhe një miqësore përpara se të pranohej në FIFA dhe UEFA, ndërsa me të rinjtë ka qenë pjesë e kombëtareve të moshave të Norvegjisë nga U-17 deri në atë U-21. Aktualisht, Bytyqi është pjesë e Konyasporit në Turqi ku ka gjetur vend titullari dhe është duke bërë paraqitje pozitive.

Ndonëse me performanca të mira, Bytyqi nuk mori ftesë nga Bernard Challandes për ndeshjet e marsit, vendim ky që krijoi mjaft polemika.

Ndërkohë, dje Cikalleshi ka postuar në Instagram golin e fitores së Konyasporit, derisa ka falënderuar Zymer Bytyqin për asistimin duke i thënë se e duan në Kombëtaren shqiptare.

“Goli i vetëm dhe i fitores në ndeshjen e sotme. Faleminderit Zymer Bytyqi, të duam në Kombëtaren e Shqipërisë” – shkroi Cikalleshi në profilin e tij në Instagram.

(Kosova Sot Online)