Challandes flet për Toman, Domgjonin dhe Zeqirin

  • A.P /
  • 23 March 2021 - 21:40
Challandes flet për Toman, Domgjonin dhe Zeqirin

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, është shfaqur në konferencë për media para ndeshjes me Lituaninë që do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, të mërkurën nga ora 20:45.

Ai foli edhe për futbollistët që deri sot e kanë refuzuar Kosovën, Bastien Toma, Toni Domgjoni e Andi Zeqiri, që të gjithë luajnë me Zvicrën U-21.

“Gjithmonë ka qenë e qartë për mua, që Toma, Domgjoni e Zeqiri e kanë filluar kampanjën me U-21 e Zvicrës. Unë kam folur me të gjithë lojtarët dhe ata luajnë deri në fund të kësaj kampanje që e kanë. Gjithmonë ka qenë përgjigja e njëjtë nga lojtarët, se do të përfundojnë deri në fund këtë cikël dhe pastaj do të luajnë për Kosovën. Kështu që, duhet të presim deri në fund e pastaj të shohim”, u shpreh Challandes.

Prej të gjithë futbollistëve të lartpërmendur, Zeqiri është ai që e kishte veshur edhe fanellën e Kosovës madje, por në fund përfundoi duke e veshur atë të Zvicrës U-21.

Kosova do të përballet të mërkurën në miqësore me Lituaninë, para përballjeve me Suedinë dhe Spanjën në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Katar 2022”. 

(Kosova Sot Online)