Rrahmani largohet nga Kombëtarja shkaku i lëndimit dhe kthehet në Napoli

  • S.A /
  • 24 March 2021 - 14:03
Rrahmani largohet nga Kombëtarja shkaku i lëndimit dhe kthehet në Napoli

Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, e ka lënë kampin e ekipit kombëtar për t’u kthyer te klubi i vet Napoli, pasi nuk ia ka dalë të riaftësohet për nga lëndimi, njofton Federata e Futbollit e Kosovës.

Rrahmani e pësoi një dëmtim në kofshe me skuadrën e vet në Serie A para rreth dy javëve dhe nuk u paraqit me Napolin në dy ndeshjet e saj të fundit që prej atëherë.

Megjithëse i dëmtuar, ai udhëtoi drejt Prishtinës të hënën dhe iu bashkua ekipit kombëtar me shpresë se do të riaftësohej deri të dielën në 28 mars, kur Kosova e nis fushatën kualifikuese për Kupën e Botës 2022 në ndeshjen hapëse kundër Suedisë në Prishtinë.

Por duket se prishtinasi s’ia ka dalë dhe FFK-ja njofton se ai do të kthehet në Itali.

“Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani është larguar nga kampi i Dardanëve, në pamundësi për të kontribuuar në tri ndeshjet e këtij muaji për shkak të lëndimit”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

“Përkundër vullnetit dhe dëshirës së madhe që të riaftësohet për lojë, një gjë e tillë ishte e pamundur, prandaj Rrahmani do të kthehet në klubin e tij, Napoli, për të vazhduar me sanimin e lëndimit.”

Lëndimi i tij erdhi në kohën kur Rrahmani po i kalonte çastet më të mira në Napoli që prej transferimit nga Hellas Verona në verën e vitit 2020.

Pas një fillimi të vështirë dhe dëshpërues, Rrahmani i pati mundësitë për t’i shfaqur aftësitë e veta para trajnerit Gennaro Gattuso, por lëndimi ia pamundësoi vazhdimin e paraqitjeve pozitive.

Ai i kishte bërë katër paraqitje radhazi si titullar deri kur e pësoi një lëndim në kofshe kah mesi i marsit. 

(Kosova Sot Online )