Ibrahimovic e zgjedh numrin e fanellës te Suedia para ndeshjes me Kosovën

  • S.A /
  • 25 March 2021 - 13:33
Ibrahimovic e zgjedh numrin e fanellës te Suedia para ndeshjes me Kosovën

Zlatan Ibrahimovic ka zgjedhur ta bartë numrin 11 në fanellën e Kombëtares së Suedisë, pas kthimit nga pensionimi, në ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës këtë muaj, përfshirë kundër Kosovës.

Suedia do ta nisë fushatën kualifikuese për Botërorin 2022 sonte si nikoqire e Gjeorgjisë, dhe sulmuesi i Milanit pritet ta bëjë rikthimin e shumëpritur në kombëtare gjatë këtij takimi.

Të dielën e ardhshme, më 28 mars, Ibrahimovici dhe Suedia do ta zbarojnë në Prishtinë për t’u përballur me Kosovën në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Kjo do të jetë përballja e parë e Suedisë me Kosovën në një ndeshje garuese dhe vizita e parë e yllit Ibrahimovic në kryeqytetin kosovar.

Ditë më parë, sulmuesi i Milanit tregoi se e kishte refuzuar numrin 10 edhe pse iu kishte ofruar pas rikthimit, duke thënë se dëshironte të niste një epokë të re me numër të ri.

Prandaj, ai e ka zgjedhur numrin 11, të cilin është dashur t’ia kërkonte Alexander Isakut. “E kërkova numrin 11 dhe Isak tha po. Nëse do të jetë në gjendje, ai do ta rimarrë atë pas 6 apo 7 vjetëve, kur të pensionohem unë”, tha Ibrahimovic me shaka.

Ibrahimovic u rikthye në Kombëtare për ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2022, pesë vjet pasi ishte pensionuar nga kombëtarja pas Euro 2016.

39-vjueçari është golashënuesi më i mirë në historinë e Kombëtares së Suedisë me 62 gola në 116 ndeshje. 

(Kosova Sot Online )