Spanja e injoron sërish Kosovën, mediumet i referohen si “Përfaqësuesja e FFK-së”

  • G.G /
  • 27 March 2021 - 15:30
Spanja e injoron sërish Kosovën, mediumet i referohen si “Përfaqësuesja e FFK-së”

Pavarësisht se UEFA përjashtoi mundësinë që Spanja të ketë qëndrim diskriminues ndaj Kosovës në ndeshjen e 31 marsit në kualifikimet për Kampionatin Botëror “Katari 2022”, nga ky vend vazhdojnë injorimet ndaj Kosovës.

Të shtunën në mëngjes, “RTVE” – televizion publik në Spanjë, teksa bënte paralajmërimin për ndeshjen me Kosovën, iu referua përfaqësueses dardane si “Përfaqësuesja e Federatës së Futbollit të Kosovës” dhe jo përfaqësuesja apo kombëtarja e Kosovës.

Injorimi për Kosovën nga spanjollët s’është diçka e re. Kohë më parë vetë faqja zyrtare e Federatës së Futbollit të Spanjës iu referua Kosovës si “territor”, ndërsa mediumet atje paralajmëruan se s’do të lejohen simbolet shtetërore të Kosovës në ndeshjen në Sevilla, pasi Spanja s’e njeh Kosovën shtet. Kjo nxiti reagime edhe në FFK ndërsa më vonë Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) e sqaroi se ndeshja kualifikuese e 31 marsit do të zhvillohet konform rregulloreve të saj, që i bie me të gjitha simbolet dhe e barabartë me përfaqësueset tjera.

Kosova dhe Spanja janë pjesë e Grupit B kualifikues për Botëror. Të dielën, “Dardanët” hapin këto kualifikuese me ndeshjen ndaj Suedisë në “Fadil Vokrri”. Tre ditë më pas përballen me Spanjën. Në anën tjetër, Spanja tashmë ka zhvilluar ndeshjen e parë. Ajo u ndal baras 1:1 me Greqinë. Të dielën luan me Gjeorgjinë.

(Kosova Sot Online)