Ujkani për MARCA: Synimi i Kombëtares është t’i tregojmë botës kush jemi si popull

  • S.A /
  • 30 March 2021 - 16:03
Ujkani për MARCA: Synimi i Kombëtares është t’i tregojmë botës kush jemi si popull

Kapiteni i Kosovës, Samir Ujkani, ka thënë për gazetën spanjolle MARCA se njëra prej synimeve kryesore të kombëtares dardane është t’ia dëshmojë botës se populli i Kosovës është i mirë, mendjehapur dhe i kujdesshëm.  Portieri Ujkani u rrëfye për të përditshmen spanjolle në lidhje e vuajtjet e tij dhe bashkëvendësve të tij luftën e vitit 1998 në Kosovë dhe për futbollin, para takimit kualifikues për Kupën e Botës 2022 kundër Spanjës të mërkurën në Sevillë. Kosova është në Grupin B kualifikues bashkë me Suedinë, Spanjën, Greqinë dhe Gjeorgjinë, këto tri të fundit s’e kanë njohur pavarësinë e shtetit të tij.

Kosova është duke marrë pjesë në kualifikime për Kupën e Botës vetëm për herë të dytë, pas pranimit të plotë në UEFA dhe FIFA më 2016, por pjesëmarrja në Ligën e Kombeve për herë të parë më 2019 dhe fushata e saj e parë kualifikuese për një Kampionat Evropian bënë që ekipi kombëtar t’i japë imazh tejet pozitivë asaj në botë.

Portieri i Torinos Ujkani thotë se pikërisht ky është synimi i brezit të tij dhe bashkëlojtarëve të tij në ekipin verdhekaltër.

 “Unë humba të afërm në luftë. Kam parë shumë njerëz duke vuajtur për njohjen e këtij vendi dhe gjithmonë kam dashur ta jap një imazh pozitiv për Kosovën dhe popullin e saj. Kjo është njëra prej synimeve të ekipit kombëtar, e brezit tonë; që t’i tregojmë botës mendësinë tonë, traditat tona dhe se populli i Kosovës është mendjehapur, i kujdesshëm dhe popull i mirë. Dhe futbolli na ndihmon ta bëjmë këtë. Kjo duhet të jetë legasia jonë”, tha Ujkani për MARCA.

Kosova mbërriti në Sevillë të hënën pasdite dhe sot do ta kryejnë një seancë stërvitore në stadiumin “La Cartuja”, para takimit të parë me Spanjën.

Grupit B i prin Suedia me gjashtë pikë, e ndjekur nga Spanja me katër pas dy ndeshjeve. Greqia është e treta me një pikë pas një ndeshjeje.

Kosova është pa pikë pas humbjes në ndeshjen hapëse kundër Suedisë, ndërsa Gjeorgjia është e fundit pa pikë pas dy humbjeve në dy ndeshjet e para. 

(Kosova Sot Online )