Strakosha, Kamberi, shanset e Shqipërisë – flet Reja

  • A.P /
  • 30 March 2021 - 21:34
Strakosha, Kamberi, shanset e Shqipërisë – flet Reja

Edoardo Reja në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj San Marinos, theksoi se në kombëtare nuk ka një çështje Florian Kamberi.

Ndërkohë ai analizoi gjëndjen e skuadrës, atmosferën në ekip, zbuloi se në portë do të luajë Thomas Strakosha, ndërsa foli edhe për shanset që ka Shqipëria në grupin I kualifikues.

KAMBERI– Më vjen keq që qarkullojnë lajme të tilla. Nuk ka një çështje Kamberi në Kombëtare. I është nënshtruar analizave të ekografisë, nuk kishte gjë aty, por lojtari ka thënë se ndjente dhimbje. Nuk mund ta aktivizonim ndaj Anglisë, pasi kishte dhimbje. Lojtari është këtu me ne dhe do të kthehet te klubi, pasi nuk është në gjendje të luajë. Kam mundësi zgjedhje dhe do të luajnë lojtarët që janë gati. Nëse një lojtar nuk është gati, nuk mund ta vendos në presion dhe t’i hap probleme.

ATMOSFERA– Pas një humbje është gjithmonë njësoj. Mund të them se bëmë një ndeshje të mirë ndaj një rivali si Anglia. Luajtëm mirë në mbrojte. Nuk dolëm dot në lojën tonë, siç donim, pasi ishim përgatitur, ndryshe, për t’i kapur në kundërsulme. Anglia nuk është se bëri ndonjë gjë të madhe, por siç e dimë, kanë lojtarë me kualitete dhe e zgjidhin ndeshjen.

LOJTARËT– Të gjithë i kanë mundësitë për të luajtur, por mund të them se nuk kemi pasur mundësinë ditën e djeshme t’i shikoj lojtarët në stërvitje. Sot kam stërvitjen e plotë. Kam 23 lojtarë, në të cilët mund të mbështetem. Do flas edhe me doktorin për të parë gjendjen e lojtarëve. Nuk do bëj eksperimente.

PORTA– Strakosha do të jetë në portë nesër. E kam thënë edhe më parë, kur luan Berisha është ai kapiten, në të kundërt shiritin e mban Hysaj. Për portën kam dy lojtarë të shkëlqyer dhe në formë, të bëjnë të vështirë zgjedhjen.

KUNDËRSHTARI– San Marino është një skuadër e organizuar, nuk i nënvlerësojmë. Duhet të jemi të kujdesshëm. Unë mendoj se kemi shumë zgjidhje dhe mund t’iu them se në fushë do të futen lojtarët që janë më në formë. Modulin do e vendosim duke u bazuar te lojtarët.

SULMI– Unë kam 4 lojtarë për sulmin dhe sigurisht them që do zgjedh ata që janë më në formë. Do i shikoj në stërvitje dhe do marr një vendim. Në ndeshje të tilla, ndonjëherë edhe lojtarët që vijnë nga stoli bëjnë shumë mirë, por e them edhe njëherë që do luajë kush është më në formë.

GJIMSHITI– Për sa i përket Gjimshitit, ashtu siç bën te Atalanta bën të njëjtën gjë edhe te Kombëtarja. Duke qenë se luan në qendër te Shqipëria, nuk ka aq shumë hapësira përpara. Duhet të bëjmë prova, edhe për sulmin. Në klub ata mund të bëjnë prova të shumta, ndërsa në kombëtare kemi pak kohë për të bërë eksperimente te tilla. Në zonë shpesh shfaqemi me 4-5 lojtarë. Gjimshiti mund të na ndihmojë edhe për të sulmuar. San Marino nuk është kundërshtar i lehtë. Ju e patë çfarë na ndodhi në Andorra. Gjithsesi ne do mundohemi të bëjmë lojën tonë.

MUNDËSITË– Kemi rënë në një grup shumë të vështirë, por jemi një skuadër që po rritemi dhe mund të bëjmë mirë. E kemi treguar që jemi rritur, duhet ta tregojmë ndaj Anglisë, Polonisë dhe Hungarisë, por është eksperiencë që do na vlejë për të ardhmen. Pas 35 vitesh eksperiencë vendosa të marr një pauzë, por nuk thashë që do tërhiqem nga futbolli. Klubi është një gjë shumë stresuar, ndryshe nga Kombëtarja. Kam pasur oferta nga klubet, por i kam refuzuar, Kisha ofertë nga Shqipëria, pranova. Shqiptarët e duan shumë Italinë dhe ndihem si në shtëpinë time.


(Kosova Sot Online)