Guarin e thyen heshtjen, pasi u arrestua për dhunë në familje

  • S.A /
  • 05 April 2021 - 11:33
Guarin e thyen heshtjen, pasi u arrestua për dhunë në familje

Ish-mesfushori i Interit, Fredy Guarin, e ka thyer heshtjen përmes një shkrimi në rrjetet sociale, tri ditë pasi u arrestua për dhunë në familje.

Kolumbiani 34-vjeçar, i cili luan për Millonarios, u kap në kamera i mbuluar në gjak në shtëpinë e prindërve derisa po arrestohej dhunshëm nga policia javën e kaluar.

Guarin, i cili luajti  për Interin nga viti 2012 deri në vitin 2016, e shpjegoi incidentin në Instagram dhe i falënderoi të gjithë ata që e përkrahën në kohë të vështira.

“Dëshiroj t’i shprehem mirënjohës përjetë familjes sime, miqve, tifozëve, bashkëlojtarëve dhe klubit për solidaritetin dhe përkrahjen pakushte në lidhje me gjendjen time aktuale personale dhe familjare”, tha Guarin, sipas gazetarit italian Gianluca Di Marzio.

“Sa i përket versioneve që qarkullojnë në rrjetet sociale për atë që ndodhi dhe dëshiroj të qartësoj se ajo që thuhet për anëtarët e familjes sime nuk është e vërtetë”, shtoi ai.

“Kërkoj që respekt për ta, posaçërisht për fëmijët e mi, të cilët nuk duhet t’i vuajnë pasojat e ekspozimit tim publik e as të veprimeve të mia. Sot, unë përballem me njërin prej atyre ndeshjeve të vështira, por jam i sigurt se me ndihmën e zotit dhe atyre që besojnë në mua dhe më njohin mua, do ta fitoj këtë ndeshje”, nënvizoi ai. 

(Kosova Sot Online )