Zidane tani edhe strateg, Reali rrezikon ta humbasë

  • A.P /
  • 12 April 2021 - 23:00
Zidane tani edhe strateg, Reali rrezikon ta humbasë

Zinedine Zidane, duke mundur Liverpoolin dhe Barcelonën brenda 5 ditësh është shndërruar për opionionistët nga menaxhues në strateg, fjalë që kanë kuptim shumë të ndryshëm.

Kjo pasi më parë, edhe pse fitoi 3 Champions në 2 vite e gjysmë, si dhe një La Liga, konsiderohej nga shumëkush si një meritë e paqes që vendosi në dhomat e zhveshjes, e një raporti me lojtarët dhe respekti të tyre për të kaluarën si futbollist të trajnerit. A thua se Zidane nuk kishte arritur gjithçka edhe me përgatitjen taktike, aftësinë e tij në këtë aspekt dhe përgatitjen e ndeshjes.

Këtë sezon, Zidane në takimet direkte ku ka vendosur shumë taktika, përballë emrave si Conte, Gasperini, Koeman, Klop e Simeone ka triumfuar edhe me taktikën e tij, duke bërë që ti njihen meritat edhe si strateg. Gjithsesi te Reali, sa i përket të ardhmes, duhet të kenë parasysh edhe lidhjen e tij me lojtarët, një lidhje që mund të peshojë në vendimet për vazhdimësinë në stol.

Askush nuk mori vesh se përse Zidane la në mënyrë befasuese Realin 3 vjet më parë, vetëm pak ditë pas finales së Kievit. Një nga arsyet ishte e lidhur me Cristiano Ronaldon, portugezi kishte vendosur të ikte dhe trajneri e kishte kuptuar se te Reali askush nuk do të bënte gjë për ta mbajtur apo për ta zëvendësuar.

Sot Reali përballet me një rast të ngjashëm, kapiteni Sergio Ramos është në skadencë kontrate dhe nga klubi i kanë bërë një ofertë shumë të ulët, më pak se gjysmën e atyre që fiton tani. Topi është në fushën e Ramosit, që natyrisht nuk është i kënaqur.

Për Zidane, kapiteni është thelbësor dhe një lamtumirë e mundshme e tij mund të influencojë edhe në vendimin e trajnerit. Francezi ka një kontratë deri në vitin 2022, por vetë ka pranuar se nuk e di se çfarë do të bëjë në verë. Në të ardhmen e tij ka dy pista: Juventusi dhe kombëtarja franceze.

Të dy stolat janë të zënë nga Pirlo e Deshcamps, por Zidane nuk ka ngut, gjithmonë udhëhiqet nga instikti. Të ardhmen do ta vendosë ai, si në 2018 kur iku, apo si 10 muaj më pas, në mars të 2019 kur vendosi të kthehej.

(Kosova Sot Online)