Aubameyang shpjegon arsyen e mungesës nga shtrati i një spitali në Londër

  • S.A /
  • 16 April 2021 - 09:24
Aubameyang shpjegon arsyen e mungesës nga shtrati i një spitali në Londër

Pasi mungoi në ndeshjen ndaj Sheffield United të dielën në kampionat, Pierre Emenick Aubameyang nuk udhëtoi me Arsenalin as në transfertën çeke ndaj Slavias së Pragës, teksa arsyen e ka zbuluar vetë sulmuesi nga Gaboni.

Nga shtrati i një spitali në Londër, futbollisti 30-vjeçar ka zbuluar se është prekur nga malaria, të cilën mund ta ketë marrë gjatë grumbullimit me kombëtaren në muajin mars dhe për këtë i duhet të marrë trajtimin e duhur mjekësor.

“Djema faleminderit për mesazhet dhe telefonatat. Fatkeqësisht jam prekur nga malaria dy javë më parë kur isha në grumbullim me kombëtaren në Gabon dhe aktualisht jam duke u kuruar në spital. Tani ndihem shumë më mirë, falë edhe punës së mjekëve, që identifikuan dhe nisën menjëherë punën për kurimin e këtij virusi në mënyrë të shpejtë. Dy javët e fundit nuk ndihesha vetvetja, por shumë shpejt do të rikthehem më i fortë se kurrë”, shkroi sulmuesi. Ende nuk dihet se sa ditë do të qëndrojë Aubameyang në spital, pasi klubi londinez dhe klinika ku është i shtruar, nuk kanë dhënë detaje konkrete, por Arteta shpreson ta ketë në dispozicion për gjysmëfinalet e Europa Leagues.

(Kosova Sot Online )