Arsenali iu drejtohet tifozëve me letër të hapur: Gabuam, kërkojmë falje

  • S.A /
  • 21 April 2021 - 09:30
Arsenali iu drejtohet tifozëve me letër të hapur: Gabuam, kërkojmë falje

Arsenali iu ka kërkuar falje tifozëve të vet duke e quajtur të gabuar vendimin për t’iu bashkuar Superligës Evropiane, në një letër të hapur ku njoftoi vendimin për t’u tërhequr nga kjo ligë e propozuar. Arsenali ishte në mesin e gjashtë klubeve që iu bashkuan Superligës si anëtare themeluese të dielën..

Por më pak se 48 orë pas njoftimit për krijimin e saj, Arsenali bashkë me Manchester United, Manchester City, Liverpool, Chelsea dhe Tottenham u tërhoqën nga ajo, si pasojë e presionit të madh nga tifozët, komuniteti i futbollit dhe qeveria angleze, si dhe nga UEFA e FIFA.

Në një letër të hapur drejtuar tifozëve, klubi londinez shkroi: “Nuk kishim nevojë të na e kujtonin këtë, por reagimi i tifozëve në ditët e fundit na ka dhënë kohë për të reflektuar më shumë dhe për të menduar thellësisht.”

Arsenali shtoi: “Kurrë nuk ka qenë qëllimi ynë të shkaktojmë shqetësim të tillë, megjithatë kur na erdhi njoftimi për t’iu bashkuar Superligës, derisa e dinim se nuk kishte kurrfarë garancie, ne nuk donim të liheshim pas për t’u siguruar se Arsenali dhe e ardhmja e tij do të mbroheshin.”

“Pasi iu dëgjuam juve dhe komunitetit të gjerë të futbollit në ditët e fundit, ne po tërhiqemi nga Superliga e propozuar. Ne e bëmë një gabim dhe kërkojmë falje për këtë”.

Pas largimit të klubeve angleze dhe Interit nga Italia, pjesë e Superligës kanë mbetur vetëm Real Madridi, Atletico Madridi, Barcelona, Juventusi dhe Milani. 

(Kosova Sot Online )