Agnelli e pranon: Superliga Evropiane nuk mund të jetësohet

  • S.A /
  • 21 April 2021 - 11:42
Agnelli e pranon: Superliga Evropiane nuk mund të jetësohet

hemeluesi i Superligës Evropiane dhe presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli, ka thënë se liga e shkëputur nuk mund të jetësohet, për shkak se gjashtë klubet angleze u tërhoqën nga ajo.

Andrea Agnelli e ka pranuar se ka dështuar përfundimisht Superliga Evropiane, e cila për synim kishte ta zëvendësonte Ligën e Kampionëve si garën kryesore evropiane për klube.

I pyetur nëse ende ka gjasa që projekti i tyre të realizohet pas largimeve, Agnelli tha për Reuters: “Të jem i sinqertë me ju, jo, përfundimisht nuk do të ndodhë”.

Vetëm pak orë më parë, Superliga ishte zotuar se do ta ndryshonte projektin pasi planet e tij nisën të dështonin.

Reklamë

“Me gjithë njoftimin për largim të klubeve angleze, të cilat u detyruan ta marrin një vendim të tillë për shkak të presionit ndaj tyre, ne jemi të bindur se propozimi ynë është plotësisht në përputhje me ligjin dhe rregulloret evropiane, siç u vërtetua sot nga një vendim i gjykatës për ta mbrojtur Superligën nga veprimet e palës së tretë. Duke i marrë parasysh rrethanat e tanishme, ne do t’i rimendojmë hapat më të përshtatshëm për ta ndryshuar projektin, gjithmonë duke i pasur në mendje synimet tona për t’iu ofruar tifozëve përvojën më të mirë të mundshme”, thuhet në njoftimin e Superligës të mërkurën herët në mëngjes.

Ky njoftim erdhi pasi Manchester City, Manchester United, Chelsea, Liverpool, Arsenal dhe Tottenham u tërhoqën.

Në Itali u raportua se Interi dhe Milani e kishin ndarë mendjen për t’i ndjekur hapat e klubeve angleze.

Deri tani, vetëm Juventusi dhe tri klubet spanjolle, Real Madrid, Atletico Madrid dhe Barcelona kanë mbetur pjesë e saj. 

(Kosova Sot Online )