Juventusi mbetet i përkushtuar ndaj Superligës, por e pranon se s’do të bëhet

  • S.A /
  • 21 April 2021 - 15:02
Juventusi mbetet i përkushtuar ndaj Superligës, por e pranon se s’do të bëhet

Juventusi ka këmbëngulur se vijon të mbetet i përkushtuar ndaj projektit të Superligës Evropiane, por njëkohësisht e ka pranuar me ngurrim se kjo garë nuk do të jetësohet në formën e tanishme. Nëntë prej 12 klubeve themeluese të përfshira në planet për garën e re evropiane janë tërhequr tashmë, më pak se dy ditë pas njoftimit për krijimin e saj. Largimet e njëpasnjëshme erdhën si pasojë e kritikave të stuhishme në rrjetet sociale që shkaktoi kjo garë që tentoi shkëputjen nga Liga e Kampionëve.

Juventusi është klubi i fundit që e deklaron pozicionin e vet, por refuzoi t’ia kthejë shpinën plotësisht Superligës. Në një komunikatë për media, Juventusi tha: “Derisa Juventusi mbetet i bindur për mirëqenien sportive, komerciale dhe legale të projektit, beson se në këtë kohë mundësitë janë shumë të vogla që ky projekt të kompletohet në formën origjinale”. “Juventusi mbetet i përkushtuar për ta krijuar një vlerë afatgjate për kompaninë dhe për tërë industrinë e sportit”, thuhet tutje në njoftim. Deri tani janë tërhequr Inter, Atletico Madrid, Milan, Manchester City, Manchester United, Chelsea, Liverpool, Arsenal dhe Tottenham. Nga 12 klube themeluese të kësaj lige, vetëm Real Madridi, Barcelona dhe Juventusi kanë mbetur ende në listë.

(Kosova Sot Online )