Reagon Solskjaer, pasi kapiteni Maguire e quajti “idiot i dreqit” bashkëlojtarin e vet

  • S.A /
  • 26 April 2021 - 11:12
Reagon Solskjaer, pasi kapiteni Maguire e quajti “idiot i dreqit” bashkëlojtarin e vet

Trajneri i Manchester United, Ole Gunnar Solskjaer, e ka mbrojtur kapitenin Harry Maguire, pasi ai u dëgjua duke e quajtur “idiot i dreqit” bashkëlojtarin e vet, Fred, gjatë barazimit pa gola me Leeds United në Premierligë. Në një ndeshje të plogësht dhe me mungesë cilësie në Elland Road, Maguire u dëgjua duke i bërtitur Fredit në pjesën e dytë dhe kjo e mori vëmendjen më shumë se vet ndeshja.

Maguire dhe Fred ishin fjalosur në fushë në pjesën dhe dytë dhe kapitenin e lëshuan nervat duke e quajtur “idiot i dreqit” bashkëlojtarin e vet brazilian.

Kjo s’është hera e parë që Maguire i ofendon bashkëlojtarët në fushë, ai e kishte quajtur budalla Marcus Rashfordin në një ndeshje kundër Crystal Palace muajin e kaluar. Solskjaer u mundua t’ia ulë rëndësinë këtij incidenti, duke thënë se kjo tregon se lojtarët e tij e kërkojnë maksimumin nga njëri-tjetri në fushë. “Ne e kemi një grup që kërkon shumë nga njëri-tjetri. Standardi është i lartë në fushë dhe në stërvitje”, tha Solskjaer.

“Ne e kërkojmë maksimumin dhe jam krenar sesi luajtëm në pjesën e dytë. Jam shumë i lumtur me përqendrimin e djemve. Ata janë shumë të përkushtuar ta përfundojnë fuqishëm këtë sezon”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online )