Ish-gjyqtari i njohur spanjoll: Goli i Benzemas i parregullt, Casemiro bëri faull

  • S.A /
  • 28 April 2021 - 09:47
Ish-gjyqtari i njohur spanjoll: Goli i Benzemas i parregullt, Casemiro bëri faull

Goli i Karim Benzemas në barazimin e Real Madridit 1:1 kundër Chelseat në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve ishte i parregullt dhe si rrjedhojë është dashur të anulohej, sipas ish-gjyqtarit të njohur spanjoll, Juan Andujar Oliver. Eksperti i referimit në Spanjë tha se skuadra e Zinedine Zidane ishte me fat që gjyqtari i ndeshjes, Danny Makkelie, nuk e vërejti një ndërhyrje të palejuar gjatë aksionit të golit.

Andujar Oliver, tani ekspert i referimit në të përditshmen spanjolle MARCA, vlerëson se Casemiro bëri faull ndaj Cesar Azpilicuetas gjatë aksionit të golit. “Casemiro shkaktoi faull ndaj Azpilicuetas para se Eder Militao ta pasonte topin me kokë te Benzema, i cili e shënoi golin”, tha Juan Andujar Oliver. VAR-it nuk iu desh shumë kohë për ta kontrolluar golin, por u duk se kontrolli ishte për pozitë të mundshme jashtë loje, e jo për ndonjë faull. Para ndeshjes, mediat spanjolle i bënë presion gjyqtarit Makkelie duke hedhur dyshime se ai do t’i ndihmonte Chelseat për shkak të qëndrimit të UEFA-s karshi presidentit të Real Madridit, Florentino Perez, i cili ishte ideatori i Superligës Evropiane. 

(Kosova Sot Online )