Allegri rikthehet për të bërë revolucion në Juventus

  • 28 April 2021 - 14:33
Allegri rikthehet për të bërë revolucion në Juventus

Massimiliano Allegri pritet të rikthehet në Juventus dhe ta bëjë një revolucion që iu mohua para dy vjetëve, sipas La Gazzetta dello Sport.

Allegri u largua nga Juventusi para fillimit të sezonit 2019/20 pas mosmarrëveshjeve me drejtuesit. Por ai pritet të rikthehet tani dhe ta vazhdojë ku e kishte lënë.

Pas largimit të tij, Mauricio Sarri e mori drejtimin e bardhezinjve dhe i udhëhoqi drejt titullit të nëntë radhazi në Serie A, para se të shkarkohej për t’i liruar vend Andrea Pirlos këtë sezon.

Interi është buzë ndërprerjes së dominimit të Juventusit në Serie A këtë sezon, por bardhezinjtë rrezikojnë edhe më keq, mospjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm pas rezultateve të dobëta nën udhëheqjen e Pirlos.

Si pasojë, e ardhmja e Pirlos është në dyshim dhe atij i kanë mbetur vetëm edhe gjashtë ndeshje për t’i bindur drejtuesit, përfshirë finalja në Kupën e Italisë kundër Atalantës në maj.

La Gazzetta dello Sport raporton se Allegri vlerësohet si njeriu i duhur për t’ia rikthyer prestigjin Juventusit.

E përditshmja italiane shkruan se Allegri do të kërkojë revolucion në Juve, të njëjtën gjë e kishte kërkuar nga drejtuesit para se të shkarkohej më 2019.

Cristiano Ronaldo është ndër lojtarët që Allegri ishte i gatshëm t’i largonte për ta ndërtuar një ekip përreth Paulo Dybalas.

E ardhmja e Ronaldos është e pasigurt gjithsesi, por Allegri di si të bëjë edhe pa portugezin, duke e kthyer në qendër të projektit Dybalan. 

(Kosova Sot Online)