Sot 5 vjet më parë, Kosova u pranua në UEFA

  • S.A /
  • 03 May 2021 - 09:23
Sot 5 vjet më parë, Kosova u pranua në UEFA

Në këtë ditë pesë vjet më parë, Kosova u pranua në UEFA, organin qeverisës të futbollit evropian, përkundër kundërshtim dhe lobim të ashpër nga Serbia. Në Kongresin e UEFA-s më 3 maj 2016, Kosova u bë anëtarja e 55-të e shtëpisë evropiane të futbollit, me 28 vota pro, 24 kundër. Dy vota ishin shpallur të pavlefshme.

Pranimi në UEFA i hapi rrugë aplikimit për anëtarësim dhe përfundimisht edhe pranim po ashtu në FIFA, shtëpinë e futbollit botëror, i cili erdhi vetëm 10 ditë më vonë, më 13 maj 2016. Që prej atëherë, Kombëtarja e Kosovës ka marrë pjesë një herë në kualifikime për Kampionat Evropian dhe po merr pjesë për herë të dytë në kualifikime për Kampionatin Botëror. 

Pranimi në UEFA po ashtu ua mundësoi klubeve të ligës elitare kosovare, Superligës, të garojnë për pjesëmarrje në garat evropiane, Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës.

Rol kyç dhe kryesor për ta bindur Kongresin e UEFA-s ta pranojë Kosovën si anëtare të veten luajti ish-presidenti i FFK-së dhe legjenda e futbollit kosovar, Fadil Vokrri, i cili vdiq dy vjet më vonë, më 9 qershor 2018.

Kombëtarja e Kosovës ishte buzë kualifikimit në Kampionatin Evropian (2020) për herë të parë në historinë e vet, në tentimin e parë, por u mund nga Maqedonia e Veriut në gjysmëfinale të play-offit në fund të vitit 2020.

Falë pranimit, verdhekaltrit ishin në gjendje të luanin në një turne me karakter garues për herë të parë, Ligën e Kombeve, në të dy edicionet e saj, 2019/20 dhe 2020/21.

Kosova la mbresa të mëdha në garën inauguruese të UEFA-s duke e fituar grupin e vet dhe duke e siguruar promovimin që ia siguroi një vend në play-off për kualifikim në Kampionatin Evropian 2020 (i shtyrë për verën e vitit 2021 për shkak të pandemisë koronavirus), por iu shua ëndrra e kualifikimit historik pas humbjes kundër Maqedonisë së Veriut në gjysmëfinale.

Kombëtarja dardane mori pjesë për herë të parë edhe në kualifikimet tradicionale për evropian, duke luftuar për kualifikim direkt deri në ndeshjen e parafundit.

Kosova nuk e nisi mirë fushatën e dytë kualifikuese për Botërorin e Katarit 2022, pasi i humbi të dy ndeshjet e para në grup kundër Suedisë dhe Spanjës. 

(Kosova Sot Online  )