Lucas Vazquez buzë kalimit në Milan, pasi e refuzoi Atletico Madridin

  • S.A /
  • 04 May 2021 - 13:40
Lucas Vazquez buzë kalimit në Milan, pasi e refuzoi Atletico Madridin

Lucas Vazquez e ka hedhur poshtë mundësinë për t’iu bashkuar Atletico Madridit dhe do të kalojë në Milan, nëse nuk e vazhdon marrëveshjen me Real Madridin. Marrëveshja e anësorit spanjoll me Madridin mbaron në fund të këtij sezoni dhe ende nuk ka ndonjë lajm për vazhdimin e mundshëm të saj.

Sipas gazetës spanjolle, AS, Vazquez e hodhi poshtë ofertën për t’iu bashkuar rivalit të qytetit të Real Madridit, Atleticos.

Spanjolli nuk dëshiron ta tradhtojë Realin, të cilin e ka mbështetur që prej fëmijërisë. Prandaj edhe nuk do të kalojë në anën tjetër të qytetit.

Real Madridi shpreson se 29-vjeçari do të qëndrojë dhe i ka ofruar pagë vjetore prej 3.5 milionë euro.

Por AS raporton se Vazquez do t’i bashkohet Milanit sipas të gjitha gjasave.

Milani ka bërë ofertë më bindëse, megjithatë palët ende nuk kanë arritur marrëveshje.

(Kosova Sot Online )