Capello e kritikon ashpër Neymarin për eliminimin e PSG-së nga Liga e Kampionëve

  • S.A /
  • 05 May 2021 - 09:25
Capello e kritikon ashpër Neymarin për eliminimin e PSG-së nga Liga e Kampionëve

Ish-trajneri italian, Fabio Capello e ka kritikuar Neymarin se nuk veproi si lider në eliminimin e Paris Saint-Germainit nga Liga e Kampionëve, pas humbjes kundër Manchester City në gjysmëfinale të martën.

Skuadra e Pep Guardiolës kaloi në finale të Ligës së Kampionëve për herë të parë në historinë e klubit, pasi e mundi 2:0 PSG-në në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale në Etihad

Megjithëse pati një fillim të mirë të ndeshjes, PSG-ja nuk arriti asnjëherë ta thyejë mbrojtjen e City, ndërkohë që Riyad Mahrez shënoi dy herë për vendasit.

Duke folur pas ndeshjes, Capello tha se City u mbrojt shumë mirë dhe e lartësoi Fernandinhon si lojtarin e ndeshjes.

“Lojtarët e Manchester City mbrohen shumë mirë dhe e ndihmojnë njëri-tjetrin këtë sezon. Janë ekip shumë i mirë”, tha Capello pas ndeshjes.

“Fernandinho ishte njëri prej lojtarëve kyç sonte, ai i ndali të gjithë.”

Megjithatë, ish-trajneri u shpreh i zhgënjyer me paraqitjen e Neymarit.

“Shpresoja se ai do të bënte diçka. Shpresoja se ai do të ishte më vendimtar dhe më i përkushtuar. Ai tentoi t’i bëjë shumë pasime dhe driblime të kota. Ai nuk veproi si lider. Lideri e udhëheq ekipin drejt rezultatit e nuk flet shumë siç foli Neymar”, theksoi ai.

Manchester City do të përballet me Chelsean ose Real Madridin në finalen e këtij edicioni i Ligën e Kampionëve. 

(Kosova Sot Online )