Lautaro thotë se do të gjejnë zgjidhje me klubin për heqjen e dy pagave

  • A.P /
  • 11 May 2021 - 20:48
Lautaro thotë se do të gjejnë zgjidhje me klubin për heqjen e dy pagave

Presidenti Steven Zhang dhe drejtuesit më të lartë të Interit, pritën në takime të veçanta një e nga një të gjithë futbollistët zikaltër, për t’u parashtruar idenë e heqjes dorë nga dy paga të vitit të kaluar, si një gjest për të ndihmuar sadopak klubin në një moment mjaft të vështirë ekonomik.

Mediat italiane raportuan se futbollistët nuk e kanë mirëpritur aspak këtë ide.

Por kjo u hodh totalisht poshtë nga argjentinasi Lautaro Martinez.

Ai deklaroi se të gjithë e kanë të qartë situatën e vështirë dhe se bashkë me klubin do të gjejnë zgjidhjen e duhur.

“E kemi të qartë momentin që po përjetojmë dhe po flasim me shoqërinë për të gjetur një zgjidhje. Duhet ta kuptojmë të gjithë së bashku këtë situatë. Nuk jemi aspak të mërzitur, pasi e njohim momentin që po kalojmë dhe jemi përqendruar të bëjmë mirë në fushën e lojës”, u shpreh Lautaro.

Derisa sa i përket rinovimit dhe Contes, ai tha: “Menaxheri im i ri po negocion me drejtuesit për rinovimin dhe jam i bindur që do të gjejmë gjuhën e përbashkët shumë shpejt. Me Conten ndihem shumë mirë dhe shpresoj që të punojmë bashkë edhe sezonin e ardhshëm, gjithsesi është e sigurt që unë do të mbetem te Interi”.

Për tri sezone te Inter, Lautaro ka bërë 129 paraqitje dhe ka shënuar 48 gola.

(Kosova Sot Online)