Pamje ekskluzive: 38-vjeçari Ribery i turpëroi dhe i trullosi Rrahmanin dhe katër bashkëlojtarët e tij

  • S.A /
  • 17 May 2021 - 10:14
Pamje ekskluzive: 38-vjeçari Ribery i turpëroi dhe i trullosi Rrahmanin dhe katër bashkëlojtarët e tij

Frank Ribery mund të jetë në perëndim të karrierës, por ai dëshmoi edhe një herë se talenti dhe shkëlqimi i tij nuk janë vyshkur akoma, duke ua kthyer në kujtesë tifozëve ditë e tij më të mira gjatë kulmit të karrierës.

Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, ishte një nga pesë viktimat e Ribery-t në një driblim të jashtëzakonshëm të tij në humbjen e Fiorentinës 2:0 kundër Napolit të dielën në Serie A.

Kur Fiorentina po humbiste me një gol epërsi, pasi Lorenzo Insigne kishte shënuar nga penalltia e fituar paraprakisht nga Rrahmani, Ribery e mori një top pranë vijës anësore të napolitanëve dhe u fut me shpejtësi shumë pranë portierit, duke mos bërë hesap asnjë prej mbrojtësve që tentuan ta ndalnin.

Ai i kaloi dy lojtarë të Napolit, para se Rrahmani të përpiqej ta ndalte. Ai e trullosi qendërmbrojtësin kosovar duke e rrokullisur atë herë djathtas e herë majtas tri herë radhazi.

Por Alex Meret ia doli t’ia mohojë 38-vjeçarit një gol të paparë, duke e pritur goditjen e tij nga afërsia.

Ish-sulmuesi i Bayern Munich i ka shënuar dy gola dhe i ka dhuruar shtatë asiste në 28 paraqitje për Fiorentinën në Serie A këtë sezon.

https://streamable.com/uftv4p

(Kosova Sot Online )