Kjo është Elizabeta Ejupi, ylli që iku nga lufta në Kosovë për të bërë karrierë në futboll

  • S.A /
  • 18 maj 2021 - 10:35
Kjo është Elizabeta Ejupi, ylli që iku nga lufta në Kosovë për të bërë karrierë në futboll

Elizabeta Ejupi ka qenë futbolliste profesioniste që prej moshës 10-vjeçare, por loja e bukur nuk ka qenë gjithmonë pjesë e planeve të prindërve të saj për të, sepse mbijetesa ishte gjëja kryesore, më e rëndësishme në fëmijërinë e saj.

Në një rrëfim për Sky Sports, Ejupi ka folur për karrierën e vet por edhe për luftën në Kosovën, duke e përmendur edhe gjenocidin që e ka kryer Serbia në atdheun e saj, raporton Gazeta Express.

“Familja Ejupi ishte detyruar të udhëtonte më shumë se 1.600 milje deri në Londër, për t’i ikur gjendjes tejet të dhunshme në vendlindjen e saj, Kosovë”, shkroi Sky Sport.

Mesfushorja e London City Lionesses tregoi për Sky Sports sesi prindërit e saj ia kishin përshkruar luftën në Kosovë: “Nuk ishte luftë e mirë, kishte shumë gjenocid”.

“Shumë njerëz kanë kaluar nëpër gjëra të ngjashme dhe ne duhet të flasim për këtë, në mënyrë që kjo të marrë fund dhe të mos ndodh askush tjetër”, theksoi 27-vjeçarja.

Elizabeta ishte vetëm 3-vjeçare, kur familja e saj iku në Londër. Ajo nuk e kishte edhe aq të lehtë përshtatjen në vendin e ri, por futbolli i ndihmoi asaj të mësohet me rrethanat e reja.

“Natyrisht se ka qenë e vështirë, kryesisht për shkak se duhej ta mësoja një gjuhë të re, por mendoj se futbolli e bëri më të lehtë. Duke luajtur futboll mund të komunikosh me njerëz dhe ke mundësi t’i njohësh njerëzit”, tha ajo.

Jashtë futbollit, Elizabeta punon edhe për XLP, kompaninë që kujdeset për të rinjtë me mundësi të kufizuara. Ajo thotë se e bën këtë me zemër si dikush i etur për t’i frymëzuar vajzat dhe e etur t’i ndihmuar komunitetit.

(Kosova Sot Online )