Maqedonia e Veriut me gjashtë shqiptarë në Kampionatin Evropian

  • S.A /
  • 20 May 2021 - 16:24
Maqedonia e Veriut me gjashtë shqiptarë në Kampionatin Evropian

Maqedonia e Veriut me gjashtë shqiptarë në Evropian

Visar Musliu, Egzon Bejtullai, Ezgjan Alioski, Arijan Ademi, Enis Bardhi e Ferhan Hasani janë gjashtë futbollistët shqiptarë që u përfshinë në listën e trajnerit Igor Angelovski për pjesëmarrje në Euro 2020

Gjashtë futbollistë shqiptarë do ta përfaqësojnë Maqedoninë e Veriut në Kampionatin Evropian “Euro 2020”, shkruan Gazeta Express. Selektori Igor Angelovski e ka publikuar sot listën e gjerë të 26 futbollistëve të ftuar për Evropian, ndërsa aty figurojnë edhe emrat e mbrojtësve Visar Musliu, Egzon Bejtullai e Ezgjan Alioski dhe të mesfushorëve Arijan Ademi, Enis Bardhi e Ferhan Hasani.

Maqedonia e Veriut e siguroi kualifikimin e parë dhe historik në Evropian pasi në gjysmëfinale të “play-offit” të Ligës së Kombeve e mposhti Kosovën e në finale Gjeorgjinë. Kampionati Evropian do të mbahet nga 11 qershori deri më 11 korrik.

“Ky është një grup i futbollistëve të cilët iu besoj. Ata e kanë arritur një sukses historik duke u kualifikuar dhe tash ne do të bëjmë gjithçka në bazë të fuqisë dhe mundësive tona për të qenë të suksesshëm. Ne i kemi vënë para vetes ambiciet tona më të larta dhe synim i joni është që të kalojmë në fazën eliminuese. Ishte një rrugëtim i pabesueshëm dhe i jashtëzakonshëm dhe tash duhet të fokusohemi tek ato që i kemi përpara”, theksoi trajneri Angelovski në konferencë për shtyp.

“Fitorja ndaj Gjermanisë ka treguar se ne kemi aftësi të përballemi me ekipet më të forta. Grupi në Euro 2020 na jep mundësinë që të kalojmë në mesin e 16 më të mirëve. Mirëpo, ne duhet të jemi në formën më të mirë në të tria ndeshjet”, përfundoi trajneri maqedonas.

Maqedonia e Veriut gjendet në Grupin C së bashku me Holandën, Ukrainën dhe Austrinë. Maqedonasit do të luajnë me Austrinë më 13 qershor, me Ukrainën më 17 dhe me Holandën më 21 të muajit që vjen. Pra, krahas shqiptarëve të Zvicrës, në Evropian do t’i shohim edhe ata të Maqedonisë së Veriut.

Të ftuarit e Maqedonisë së Veriut

Portierë: Stole Dimitrievski (Rayo Vallecano), Damjan Shishkovski (Doxa), Riste Jankov (Rabotnicki Skopje)

Mbrojtës: Stefan Ristovski (Dinamo Zagreb), Visar Musliu (Fehervar), Egzon Bejtulai (Shkendija), Kire Ristevski (Ujpest), Gjoko Zajkov (Charleroi), Darko Velkovski (Rijeka), Ezgjan Alioski (Leeds United)

Mesfushorë: Arijan Ademi (Dinamo Zagreb), Enis Bardhi (Levante), Stefan Spirovski (AEK Larnaca), Boban Nikolov (Lecce), Tihomir Kostadinov (Ruzomberok), Ferhan Hasani (Partizani Tirana), Eljif Elmaz (Napoli), Daniel Avramovski (Kayzerispor), Darko Churlinov (Vfb Stuttgart), Marjan Radeski (Akademija Pandev)

Sulmues: Goran Pandev (Genoa), Aleksandar Trajkovski (Real Mallorca), Ivan Trichkovski (AEK Larnaca), Vlatko Stojanovski(Chambly), Krste Velkovski (Sarajevo), Milan Ristovski (Spartak Trnava). 

(Kosova Sot Online )