Napoli zgjedh Spallettin, prezantimi javën e ardhshme

  • A.P /
  • 27 May 2021 - 19:31
Napoli zgjedh Spallettin, prezantimi javën e ardhshme

Nëse nuk ndodh ndonjë surprizë si në rastin e Sergio Conceicaso, Luciano Spalletti do të jetë trajneri i ri i Napolit për sezonin e ardhshëm, pasi palët kanë arritur marrëveshjen dhe po sistemohen detajet e fundit para se të vijë zyrtarizimi.

Lajmi është dhënë nga mediat italiane, që citojnë burime pranë klubit të kaltër, të cilat konfirmojnë se avokatët e Napolit dhe të Spallettit po studiojnë kontratën që do t’i lidhë palët për dy sezone, me opsion rinovimi edhe për një të tretë dhe me një pagë neto prej 3.5 milionë eurosh.

Vetë Aurelio De Laurentiis ka deklaruar pak ditë më parë se ka vendosur për trajnerin e ri, i cili do të jetë një italian dhe duket se i përzgjedhuri është pikërisht Luciano Spalletti, të cilin bosi napolitan e kontaktoi edhe në janar për t’i kërkuar gatishmërinë e fillimit të punës në rast shkarkimi të Gattusos.

Nga ana tjetër trajneri Spalletti vjen pas një pushimi dy vjeçar, pasi verën e 2019-ës u shkarkua nga Interi për t’i bërë vend Antonio Contes dhe tani ka dëshirë të rikthehet sërish si protagonist, ndaj Napoli është klubi i duhur që ia ofron këtë mundësi.

Zyrtarizimi i Spallettit në pankinën e Napolit pritet të vijë vetëm në fillim të javës së ardhshme dhe më pas tekniku do të nisë menjëherë punën për të përgatitur skuadrën me të cilën do të garojë sezonin e ardhshëm. 

(Kosova Sot Online)