Boateng drejt Romës, mbrojtësi synon të punojë me Mourinhon

  • S.A /
  • 28 May 2021 - 10:08
Boateng drejt Romës, mbrojtësi synon të punojë me Mourinhon

Jerome Boateng është larguar si futbollist i lirë nga Bayern Munich. Qendërmbrojtësi gjerman qëndroi 10 vite në Munich, por në fund u largua pasi nuk ishte më në planet e klubit bavarez. 32-vjeçari pritet që të provojë edhe njëherë një aventurë jashtë Gjermanisë dhe ofertat tanimë nuk mungojnë. Mediat italiane raportojnë se agjenti i lojtarit është në bisedime tanimë me gjigantin italian Roma.

Ka qenë trajneri portugez i Romës, Jose Mourinho që ka kërkuar nga drejtuesit e klubit afrimin e gjermanit në skuadër. Mourinho e kishte kërkuar mbrojtësin gjerman edhe dy vite më parë sa ishte në Manchester United.

“E thirra Mourinhon në telefon dhe i thash se interesimi i tij për mua vshtë një nder dhe e falënderova që u përpoq aq shumë për të më marrë. I tregova atij se është e vështirë për tu larguar nga Bayerni dhe nëse e bëjë atë duhet ta bëjë me mirëkuptim të klubit”, ishte deklarata e Boateng dy vite më parë.

Tani kur lojtari është i lirë, mediat italiane raportojnë se ai ka zgjedhje të parë Romën, por edhe oferta e kryeqytetasve duhet të jetë e lartë.

Boateng këtë edicion ka shfaqur formë të lartë, ku ka zhvilluar 39 ndeshje me Bayernin, teksa ka shënuar dy gola e ka asistuar në një tjetër.

(Kosova Sot Online )