Kombëtarja ia ftoi katër lojtarë, FC Prishtina shqyrton mundësinë t’ia ndalë shkaku i Championsit

  • S.A /
  • 31 May 2021 - 14:50
Kombëtarja ia ftoi katër lojtarë, FC Prishtina shqyrton mundësinë t’ia ndalë shkaku i Championsit

FC Prishtina ka mundësi t’i refuzojë ftesat e selektorit Bernard Challandes, i cili i ftoi katër lojtarë të kampiones së Kosovës për dy miqësoret që Kombëtarja do t’i zhvillojë më 8 dhe 11 qershor në Turqi kundër dy kombëtareve afrikane, Guinesë dhe Gambisë. Gledi Mici, Endrit Krasniqi, Leonit Abazi dhe Lumbardh Devolla janë ndër lojtarët kryesorë të FC Prishtinës, e cila vetëm disa ditë pas këtyre ndeshjeve të Kombëtares do të luajë për herë të parë në kompetecionin e Ligës së Kampionëve.

Bardhekaltrit përpos 1 milion eurosh që e synojnë në garat e UEFA-s, ata e synojnë edhe një ecuri sa më të mirë, sepse me një sukses eventual, do të mund t’ia mundësonin Kosovës që prej edicionit të ardhshëm të përfaqësohet me më shumë klube në garat e UEFA-s, e jo vetëm me tri sa përfaqësohet viteve të fundit.

Andaj, në FC Prishtinë thonë se do ta shqyrtojnë situatën dhe shumë shpejt do të vendosin për t’i ndalur apo për t’ia lëshuar Kombëtares katër futbollistët e tyre.

“Tash në ora 14:00 e kemi takimin me trajnerin edhe kemi me bë këtë analizë edhe dalim me një vendim zyrtar. Nëse ish kanë ndonjë ndeshje e rëndësishme e Kosovës ne nuk kemi mi bë  pengesë. Duke e parë që janë lojë miqësore edhe ne kemi lojë shumë të rëndësishme për veten. Për atë e kemi takimin në ora 14:00 edhe kemi me marre një vendim të përbashkët, po normalisht duke e menduar çdoherë më të mirën për klubin tonë, interesat tona, por asnjëherë duke mos e dëmtuar Kosovën. Për neve është privilegj që i kanë ftuar lojtarët tanë. Pas takimit do të kontaktojmë me Federatën. Çdo vendim që e marrim duhet me u marr në koordinim edhe me ia dhanë argumentet”, deklaroi  drejtori i FC Prishtinës, Fisnik Kërçeli. Ai kujtoi se FC Prishtina në Ligën e Kampionëve do të luajë më 22 qershor dhe 25 qershor, disa ditë pas ndeshjeve të Kosovës.

Madje, ai tha se  FC Prishtina kësaj radhe nuk do ta marrë shumë parasysh as dëshirën e lojtarëve pasi si klub e ka një objektiv serioz. “Veç interesin tonëe, por edhe lojtarët besojmë që na kuptojnë. Nuk do të thotë që do të hidhërohemi me Federatën e me i bo keq shtetit se krejt jemi t’u ëndërruar një përfaqësim të denjë. Na jemi interes edhe i Kosovës se sa ma shumë me kaluar raunde Prishtina, Drita, Llapi vitin tjetër mund të bëhen katër ekipe në Evropë që me pasur të hyra më shumë në futbollin e Kosovës”, tha ai.

Rreth kësaj situate ështe kontaktuar edhe drejtori i Kombëtares, Muharrem Sahitin, i cili tha se sipas rregullave klubet nuk mund t’ua ndalin lojtarët Kombëtareve. “Nuk mundet klubi mi ndalu kur janë të ftuar prej kombëtareve. Përzgjedhjen e ka bërë selektori me stafin e tij. Ajo kohe nuk është e garave as ne Champions League as ne Evropa League dhe lojtarët nuk mund t’i humbë përgatitjet”, tha Sahiti.

(Kosova Sot Online )