“Dardanët” mbërrijnë në Austri, gati për miqësoren me Maltën

  • G.G /
  • 03 qershor 2021 - 15:15
“Dardanët” mbërrijnë në Austri, gati për miqësoren me Maltën

Ekipi kombëtar i Kosovës do ta mbajë sot një seancë të lehtë stërvitore para ndeshjes së nesërme me Maltën, e cila do të luhet në Klagenfurt të Austrisë dhe të fillojë në orën 18:00

Kontingjenti i Kosovës ka mbërri në Austri, “Dardanët” kanë mbërri në tokën austriake ku nesër mbrëma do ta zhvillojnë ndeshjen miqësore me Maltën. Verdhekaltrit vijnë të motivuar pas fitores së thellë ndaj San Marinos me rezultat 4:1.

Ata synojnë të bëjnë paraqitje të mira dhe në fund të fitojnë ndaj Maltës, të cilën e kishin mposhtur dy herë në Ligën e Kombeve. Ekipi i Bernard Challandes është nisur drejt Austrisë pas sulmuesin kryesor, Vedat Muriqi, i cili ka kërkuar leje që të lirohet, njëjtë si portieri Samir Ujkani.

Ndërkohë, për shkak të lëndimit të pësuar në ndeshjen me San Marinon, me ekipin nuk ka udhëtuar as Lorik Emini. Kosova do ta zhvillojë sot nga ora 17:30 stërvitjen e fundit para ndeshjes së nesërme me Maltën, e cila do të zhvillohet në Klagenfurt. Dueli në mes të Kosovës dhe Maltës do të fillojë në orën 18:00.

Kosova më pas, e përbërë kryesisht nga lojtarët e Superligës dhe nga ata që ftohen për herë të parë dhe që shihen me potencial për të ardhmen, do t’i zhvillojë edhe dy ndeshje miqësore, me Guinenë më 8 dhe me Gambinë më 11 qershor. 

(Kosova Sot Online)